Komunat kërkojnë 1 milion € për zgjidhjen e problemit të qenve endacak

Prishtinë | 11 Jan 2017 | 14:43 | Nga

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga Ministria e Financave mbështetje financiare në shumën prej 1 milion euro për menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacak.

Në letrën e Asociacionit të Komunave të Kosovës dërguar Ministrisë së Financave, theksohet se është njoftuar ministri Avdullah Hoti lidhur me situatën aktuale në komuna dhe mundësinë e eliminimit të qenve endacak, pasi që institucionet qendrore nuk kanë ndonjë program efektiv gjithëpërfshirës për të menaxhuar dhe kontrolluar shtimin në rritje të qenve endacak.

AKK ka mbajtur disa takime me kryetarët e komunave të Kosovës si dhe me përfaqësues të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK), që ishin prezent edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shqyrtuar problematika e qenve endacak si dhe mënyrat e tejkalimit të kësaj situate.

AKK në takimet e saja ka diskutuar lidhur me strategjinë gjithëpërfshirëse për kontrollin e qenve endacak, strategji kjo e cila do të përfshinte: edukimin, reduktimin e qenve endacak, regjistrimin e qenve me pronar dhe licencimin e mbarështuesve dhe strehimoreve private (mbajtësve të qenve).

“Nga një perspektivë kulturore, qëndrimi ndaj qenve po zhvendoset nga një konsideratë si shqetësim publik. Republika e Kosovës, si një shtet i ri dhe në zhvillim, deri tani ishte e fokusuar në menaxhimin e kafshëve në fermat bujqësore. Sidoqoftë, qytetarët me të drejtë mbesin të shqetësuar sa i përket numrit gjithnjë në rritje të qenve endacak dhe po rriten kërkesat për veprim, nuk duket se zgjidhja është e lehtë”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

“Në të kaluarën, konsulentët ndërkombëtarë kanë ndihmuar në përcaktimin e një draft dokumenti të strehimit, i cili është në formë të draftit për disa vite. Ky draft dokument lejon vrasjen (eliminimin) e qenve pas 30 ditësh të qëndrimit në strehimore, i cili dokument u gjykua si brenda Kosovës nga ana e shoqërisë civile ashtu edhe nga ana ndërkombëtare për shkak se nuk garantoi funksionalitet të qëndrueshëm”, thuhet më tej në njoftim.

Nëse problemi me qenët endacak në Kosovë nuk trajtohet, mund të shndërrohet në një problem ende  më të madh. Çdo vit shtohen mijëra qenë endacakë të rinj në shtimin e përgjithshëm ekzistues. Që nga viti 2008, mirëqenia e kafshëve ka qenë në fokus mirëpo shtimi i qenve endacakë ka vazhduar të rritet.

“Si shumë vende të Ballkanit, rrugët e Kosovës janë të mbushura me qen endacak. Aktualisht vlerësohet se ka rreth 150 000 qen endacak që jetojnë në rrugë. Çdo vit numri i qenve endacakë vazhdon të rritet. Qentë endacake që nuk janë të sterilizuara vazhdojnë të riprodhojnë nga katër deri në tetë pasardhës, dy herë brenda një viti”, theksohet në njoftim.

“Ata jetojnë në vende të ndryshme dhe burimi i tyre i ushqimit janë kryesisht mbeturinat në zonat urbane ku burimet ushqimore janë më të kufizuara dhe kjo gjendje shpie në rritjen e agresivitetit të tyre territorial. Me qëllim të përmirësimit të shëndetit dhe sigurisë publike është urgjente që Qeveria me komunat dhe praktikat private të zbatojë një program gjithëpërfshirës dhe të provuar shkencërisht, me metoda të pranuara ndërkombëtare për të nxitur mbajtjen e përgjegjshme të qenve, në mënyrë që numri i qenve endacakë në Kosovë të zvogëlohet në mënyrë humane”.

Me qëllim të zbatimit të këtij programi, Asociacioni i Komunave të Kosovës propozon një qasje multi-disiplinare për kontrollin efektiv të qenve që përbëhet nga katër faza:

Identifikimi dhe regjistrimi i detyrueshëm i qenve në pronësi private;

Zënia, sterilizimi, vaksinimi dhe lëshimi (ZSVL) i qenve endacak pa pronar jo-agresiv, të shëndetshëm. Është i nevojshëm një rrjet i objekteve veterinare ku do të bëhej sterilizimi dhe vaksinimi i qenve endacake. Bashkëpunimi dhe mbështetja komunale janë të nevojshme për kapjen dhe lëshimin e qenve në lokacionin ku ata janë gjetur;

Edukimi në shkolla dhe për publikun për sjelljen ndaj qenve dhe pronarët e përgjegjshëm. Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë duhet të inkurajohet që të shtojë këtë çështje në kurrikulën arsimore dhe veterinerët e Kosovës duhet të informojnë të gjithë pronarët e qenve lidhur me përfitimet e sterilizimit kur ata u vendosin çipin dhe vaksinojnë qentë;

Licencimi dhe regjistrimi i objekteve private dhe publike të mbajtjes së qenve duke përfshirë mbarështuesit;

Strehimoret duhet të konsiderohen si një masë dytësore, për t’u shtuar në tri vjet pasi që programi për zënien, sterilizimin vaksinimin dhe lëshimin (lirimin) (ZSVL) të rezultojë në një reduktim të ndjeshëm të qenve endacakë. Pasi që kjo fazë fillestare të ketë përfunduar, strehimoret do të asistojnë me menaxhimin e qenve të braktisur dhe mund të ndihmojnë në sistemimin e disa qenve në rrugë dhe jashtë tyre. Strehimoret nuk duhet të shërbejnë si zgjidhje afatgjatë të strehimit. Po ashtu është e nevojshme nxjerrja e një akti nën ligjor i cili rregullon çështjen e Strehimoreve.

Të ngjashme