Qytetarët e Prishtinës dhe të rrethinës tash e një kohë kanë shprehur shqetësimet e tyre për qentë endacakë, ku kohë pas kohë kanë raportuar edhe kur janë sulmuar nga ta.
Së fundmi qentë endacakë kanë sulmuar edhe ekspertin e telekomunikacionit, Agron Dida dhe bashkëshorten e tij.
Dida përmes një postimi në Facebook ka thënë se sulmi ka ndodhë në Bërnicë të Epërme.
“Para ca ditësh, 200 m nga shtëpia jonë në Bërnicë të Epërme, në rrugën që çon në Siqevë, Kimeten dhe mua na sulmuan dy qenë endacakë, befasisht, pa asnjë ngacmim nga ana jonë. Kur më rrëzuan për toke për herë të parë, u ngrita dhe vazhdova të sillja me këmbë për tu mbrojtur, por pastaj më rrëzuan edhe një herë, me që rast lëndova rëndë gishtin e madh të dorës së majtë, gjurin e këmbës së djathtë, bishtin e kurrizit, nyjet e të dy duarve. Në ndërkohë, Kimetja kërkoi ndihmë prej fqinjëve tanë që menjëherë dolën dhe më shpëtuan”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka treguar se operacioni ka zgjatur rreth 50 minuta.
“Operacioni i gishtit zgjati rreth 50 minuta dhe dua ta falënderoj përzemërsisht Dr. Arban Demin me koleget e kolegët e tij për operacionin e suksesshëm që e bënë në Emergjencën e QKUK”, pohon Dida.
Më tej, ai ka thënë se “Unë jam një adhurues i natyrës dhe qentë për mua janë miqtë më të vjetër e më të respektuar të njeriut”.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës duhet të bëjë një zgjidhje sa më të shpejtë për qentë endacakë.
“Mirëpo, menaxhimi i planifikuar mirë dhe i zbatuar me kujdes të duhur, i problemit të habitatit të qenëve endacakë, jo vetëm në Komunën e Prishtinës, por edhe në shumë komuna tjera të Kosovës, mbetet vetëm një ëndërr për tu dëshiruar. Andaj, ju këshilloj zyrtarëve përgjegjës të Komunës, që të angazhojnë konsulentë profesional, çoftë edhe nga jashtë Kosovës, sepse po shihet qartë se ata nuk janë në gjendje të përballohen me këtë problem. Edhe Kimetja ka pasë një aksident edhe më të rëndë para ca kohësh dhe shërimi i saj pas operacionit ka zgjatur gati një vjet! Të shpresojmë se është aksident i fundit”, thotë ai.