Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, edhe këtë të martë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Seanca do të vazhdojë me dëshminë e dëshmitarit të 55-të, i cili të hënën ka filluar dëshminë e tij si dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Ramiz Qeriqi, në procesin gjyqësor kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Ramiz Qeriqi është ish-anëtar i Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, i Brigadës 121 të Zonës së Pashtrikut.
Qeriqi pritet të dëshmojë për strukturën, organizimin dhe veprimtaritë e batalionit të tij dhe të Brigadës përgjatë luftës.
Dëshmitari të hënën është pyetur për një dokument që sipas prokurores D’Ascoli i është dhënë Tribunalit të Hagës në vitin 2005, dokument i nënshkruar nga Shukri Buja.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.