Qeveria e Kosovës ka bërë hapin e parë institucional në qëllimin e saj për integrim në NATO. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është themeluar një grup punues ndërinstitucional për integrimin e vendit në NATO, raporton Ekonomia Onlline.
Kurti tha se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, ka propozuar formimin e grupit ndërinstitucional për integrimin e vendit tonë në NATO.
Kryediplomatja, Donika Gërvalla, tha se anëtarësi i Kosovës në NATO, mbetet prioritet strategjik i Kosovës.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik i Kosovës. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATOështë urgjent”, theksoi Gërvalla.
“Politika e zgjerimit të NATO-s, e paraparë në nenin 10 të Traktatit themelues të Aleancës Veri-Atlantike, është krejtësisht në përputhje me aspiratën tonë shtetërore e të qenit pjesë e një Aleance që promovon dhe mbron vlerat e përbashkëta si paqja, siguria dhe demokracia si dhe fuqizimin e bashkëpunimit me aleatët strategjik ndërkombëtare të cilët janë pjesë e kësaj organizate. Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik kryesor i Republikës sonë”, është shprehur ministrja Gërvalla- Shwarz, në mbledhjen e Qeverisë.
Duke rekomanduar aprovimin e kësaj kërkese si të tillë, kryediplomatja Gërvalla njoftoi kabinetin qeveritar se “Kosova dhe shtetet tjera demokratike pro-perëndimore në rajon po ballafaqohen çdo ditë e më shumë me veprime destabilizuese të provokuara nga Rusia përmes vartësve të saj. Duke marrë parasysh kontekstin aktual të agresionit të paprecedent të agresionit rus ndaj Ukrainës si dhe synimeve për destabilizim dhe minim të të gjitha progreseve euroatlantike, një kërcënim për vendin, rajonin dhe paqen globale, anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO është urgjent si asnjëherë më parë, për solidifikimin e arkitekturës së sigurisë në rajon por edhe në Evropë”.
Grupi Punues ndërinstitucional për integrimin e Kosovës në NATO ka këtë përbërje:
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës – Kryesuese;
Ministri i Mbrojtjes – Anëtar;
Ministri i Punëve të Brendshme – Anëtar;
Ministrja e Drejtësisë – Anëtare;
Një Përfaqësues/e i/e lartë nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës – Anëtar/e;
Një përfaqësues/e i/e lartë nga Zyra e Kryeministrit – Anëtar/e;
Përfaqësuesi i Republikës së Kosovës për marrëdhëniet me NATO nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel – Anëtar;
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Anëtar.