Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për incidentet e dhunshme që kanë ndodhur sot në Mushtisht.
Nëpërmes një komunikate shtypi, Qeveria e Kosovës themson se respekton plotësisht të drejtën e çdo qytetari për protestë paqësore, për çfarëdolloj arsye, e ritheksojmë paqësore, si e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e shprehjes së mendimit dhe kërkesave publike.
Po ashtu, Qeveria e Kosovës konsideron se kërkesat e qytetarëve për zbardhjen e plotë të të gjitha krimeve të luftës dhe dënimin e të gjithë kryesve të tyre është plotësisht legjitime.
Mirëpo, po ashtu, Qeveria e Kosovës konsideron se çdo qytetar i Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, ka plotësisht të drejtë të kthehet në pronat e tij, në mënyrë të papenguar.
Kjo është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me të gjitha aktet ligjore, me konventat ndërkombëtare por është në përputhje me traditën, vullnetin dhe vizionin e popullit të Kosovës për bashkëjetesë paqësore.
Ndërkaq, personat që kanë kryer krime gjatë luftës duhet të përballen individualisht me drejtësinë.