Qeveria e Kosovës ka dërguar në Kuvend projektligjin e buxhetit për vitin 2017.
Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se buxheti për vitin 2017 do të jetë 1 miliard e 720 milionë euro, apo 6 për qind më i lartë se ai vitit 2016. Ai theksoi se rritja ekonomike do të jetë 4.4 për qind.
Ndërsa për veteranët Hoti tha se janë ndarë 38 milionë euro ndërsa për invalidët 12 milionë, shuma këto të harmonizuara me FMN-në.
Ndërsa kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se buxheti për vitin 2017 është buxhet zhvillimor.
Mustafa tha se investimet kapitale do të rriten për rreth 50 për qind vitin e ardhshëm.
“Ky buxhet është zhvillimor dhe reflekton programin që kemi si përcaktim për zhvillim ekonomik dhe hapej të vendeve të punës e ruajtjen e stabiliteti fiskal dhe ekonomik. Gjenerohet nga të hyrat fiskale dhe jo fiskale, një pjesë tjetër është siguruar nga huadhëniet e jashtme. Dhe një pjesë të mjeteve janë mjete që lirohen nga AKP-ja, pasi të përmbushen detyrimet ligjore që i ka AKP-ja, prandaj nuk rrezikohet asgjë sa i përket përmbushjes ligjore”.
“Ky buxhet rezulton pas përmirësimit të ambientit të zhvillimit ekonomik dhe reflekton reformat fiskale që i kemi ndërmarrë”.
Mustafa ka thënë që buxheti rreth 2 miliardë euro, për herë të parë që Kosova kap këtë shifër, siguron investime kapitale më shumë.
“50 për qind më shumë investime kapitale. Vitin e ardhshëm do të kemi rreth 700 milionë euro investime, sepse dëshirojmë që të krijojmë mundësi të angazhimit të firmave tona dhe rritje të mëtutjeshme ekonomike”.
Kryeministri ka garantuar se “buxheti do të shpërndahen në mënyrë proporcionale edhe sa i përket komunave edhe ministrive”.
Një pjesë e mjeteve nga ky buxhet do të ndahen edhe për ndërtimin e Ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.