Në Samitin e Berlinit do të tentohet t’i jepet shtytje dialogut Kosovë-Serbi, që aktualisht është në bllokadë. Ende nuk është zbardhur agjenda dhe nuk dihet nëse presidenti dhe kryeministri i Kosovës do të prezantohen me një qëndrim rreth dialogut. Por në Qeverinë e Kosovës nuk presin të ketë ndonjë marrëveshje eventuale.
Deri tash, Thaçi dhe Haradinaj kanë prezantuar versione që janë në kundërthënie me njëri-tjetrin dhe për këtë janë përplasur disa herë. Kryeministri ka acaruar marrëdhëniet me presidentin edhe për shkak të taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, të cilën në disa raste Haradinaj ka thënë se po e mban për t’i ruajtur kufijtë e 17 shkurtit të vitit 2008.
Dialogu nuk është tema kryesore të cilën synon ta shtrojë për diskutim kryeministri Haradinaj në Samitin e Berlinit. Ai ka paralajmëruar ta trajtojë çështjen e liberalizimit të vizave, në tryezën ku të ftuar do të jenë 10 liderë nga Ballkani Perëndimor. Megjithatë, zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, ka thënë se kryeministri do të jetë në dispozicion për t’i diskutuar të gjitha temat.
“Kryeministri tashmë ka shprehur qëndrimin se është pro dialogut, i cili rezulton me njohje. Në këtë dialog mund të diskutohen të gjitha temat, duke përfshirë edhe tregtinë e lirë”, ka thënë ajo.