Fati i qeverisë italiane është në fije të perit këtë javë në mesin e një përballjeje mes kryeministrit Giuseppe Conte dhe aleatit të tij në koalicion, dhe ish-kryeministrit Matteo Renzi.
Renzi ka tërhequr dy ministra nga kabineti i Giussepe Contes. Matteo Renzi ka njoftuar vendimin për të hequr ministrat Bellanova dhe Bonetti nga qeveria duke shpjeguar: “Për të dhënë dorëheqjen duhet guxim dhe një ndjenjë përgjegjësie” dhe duke shtuar: “Kriza nuk është hapur nga ne, ajo ka qenë e hapur prej muajsh”.
Vendimi vjen pas “takimit të ndërmjetëm” midis Conte dhe Presidentit Mattarella, i cili theksoi “nevojën për të dalë shpejt nga kjo gjendje e pasigurisë” duke pasur parasysh “pandeminë”.
Pas tërheqjes së ministrave të “Italia Viva”, qeveria Conte hyn në krizë. Ndërkohë që Renzi ka sqaruar se, kjo nuk do të thotë zgjedhje të parakohshme: “Ju nuk votoni tani, ju votoni në 2023”, thotë Renzi, duke u kthyer për të mohuar hipotezën e zgjedhjeve të parakohshme.
Renzi ka qenë kryeministër i Italisë nga viti 2014 deri në 2016, De Fakto orkestroi koalicionin e udhëhequr nga Conte të partisë Demokratike të Qendrës së Majtë dhe Lëvizjes Pesë Yjet, pas shembjes së qeverisë së mëparshme mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Ligës së Veriut të Mateo Salvinit në gusht 2019.
Renzi asokohe la Partinë Demokratike dhe krijoi Italia Viva, që ka dy ministra në qeveri dhe rreth 3 për qind të votave në publik. Ai tha të hënën se ministrat e tij nuk ishin pjesë e qeverisë për përfitime, por sepse kanë ide. Nëse këto ide nuk do të pëlqehen, atëherë ata do të lënë postet që mbajnë.