Një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin në vijim do të jetë realizimi i agjendës legjislative për vitin 2019 dhe për realizim të saj është i nevojshëm një bashkëpunim dhe koordinim i punës së Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në këtë kontekst, kryeministri Haradinaj ka zhvilluar një takim me shefat e grupeve parlamentare, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ahmet Isufin dhe Bilall Sherifin nga Nisma, për të diskutuar mundësitë e realizimit të agjendës legjislative, që nënkupton edhe realizimin e projekteve tona për të ecur drejt një shoqërie të zhvilluar dhe të konsoliduar demokratike.
Kosova ka nevojë për dinamikë të re të bashkërendimit të punëve Qeveri – Kuvend, me qëllim të realizimit të obligimeve institucionale në konsolidimin dhe zhvillimin e shtetit tonë. Ky takim do të jetë në vazhdën e intensifikimit të punës sonë, për ta përmbyllur agjendën legjislative, që është edhe pjesë e detyrimeve tona në procesin e integrimeve euro-atlantike.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me përkushtim bashkëpunimin me të gjithë akterët shtetërorë dhe institucionalë, me qëllim të arritjes së objektivave qeverisëse të vendit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm.