Qeveria e miraton agjendën e reformave për të përfituar nga Plani i Rritjes – Kurti: Kusht progresi në dialog

Prishtinë | 09 Tet 2024 | 12:11 | Nga Hasan Hoti

Qeveria e Kosovës e ka miratuar Agjendën e Reformave të Kosovës në kuadër të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri Albin Kurti tha se Bashkimi Evropian ka kërkuar aprovimin e kësaj agjende të reformave, raporton Ekonomia Online.

“Nga muaji maj, ky instrument tashmë ka hyrë në fuqi. Për të përfituar nga këto fonde si ndihmesë për arritjen e reformave, është kërkuar përgatitje e një agjende të reformave nga të gjitha gjashtë shtetet. Kosova ka negociuar me Komisionin Evropian dhe ka përgatitur një agjendë serioze të reformave për katër vitet e ardhshme, që fillon sivjet e vazhdon deri në vitin 2027. Negocimi i agjendës së reformave dhe planit të rritjes ka filluar qysh nga nëntori i vitit të kaluar. Ekipi ynë negociator i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka bërë një punë të shkëlqyeshme”.

Kurti tha se Kosova ka respektuar të gjitha afatet dhe ka dorëzuar në kohë agjendën e reformave, koston financiare për secilën reformë, si dhe listën indikative të projekteve investive.

Ai tregoi se si rezultat i këtij plani, Kosova mund të përfitojë deri në 882 milionë e 600 mijë euro. Kurti tha se Agjenda përfshin pesë fusha, 30 reforma dhe 111 hapa ose veprime konkrete. Aty, tha se hyjnë qeverisja e mirë, tranzicioni i gjelbër dhe digjital, zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisi i biznesit, zhvillimi dhe ruajtja e kapitalit njerëzor, vlerat themelore dhe sundimi i ligjit.

Ai tha se Komisioni Evropian më pas do të përgatisë marrëveshjen nga instrumenti nga plani i rritjes dhe marrëveshjen për hua, raporton EO.

“Nga kjo agjendë e reformave, brenda katër viteve të ardhshme do të jemi dëshmitarë të shumë ndryshimeve të nevojshme, gjithsesi pozitive, të cilat do të ndodhin në Republikën e Kosovës”.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme