Qeveria e Kosovës e ka miratuar Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pasi versionin e parë e shfuqizoi Gjykata Kushtetuese.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky projektligj parasheh reformë në KPK, synon eliminimin e grupeve të interesit dhe korporatizimit brenda KPK-së, eliminimin e ndikimeve politike dhe synohet përmbushja e mandatit kushtetues të KPK-së, raporton Ekonomia Online.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar me prioritet këtë çështje.
Ajo ka thënë se në projektligj parashihet që si anëtarë të përhershëm të Këshillit të jenë 7 prokurorë, tre prej tyre të zgjedhur nga Kuvendi.
“Propozojmë si anëtar permanent të jenë 7 anëtarë, 3 prokurorë dhe Kryeprokurori sipas detyrës zyrtare, dhe 3 anëtarë joprokurorë por duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së tyre në Kuvend duke adresuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se përbërjes aktuale deri në vitin 2026 do t’i shtohen edhe disa anëtarë joprokurorë.
“Natyrisht që ne nuk mund të presim deri në vitin 2026 duke penguar sundimin e ligjit, Proozojmë që në përbërjen aktuale të kemi edhe një numër shtesë të anëtarë joprokurorë deri në vitin 2026, duke mundësuar që KPK-ja të funksionojë në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë ajo.