Mjedisi i parashikueshëm legjislativ dhe rregullativ, funksionalizimi i ekonomisë së tregut, trajtimi i barabartë i të gjitha bizneseve si dhe luftimi i ekonomisë joformale duhet të jenë prioritetet kyçe të Qeverisë së re. Këto konkluzione u nxorën nga tryeza e sotme e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, ku bizneset patën mundësi të prezantojnë rekomandimet e tyre për Qeverinë e re. Gjatë tryezës, u diskutuan edhe shqetësimet lidhur me vendimet e kaluara të marra pa koordinim paraprak me komunitetit e biznesit, të cilat kanë ndikuar në çrregullim të operacioneve të bizneseve.
Avni Krasniqi, Kryesues i Komitetit të Tregtisë dhe Doganave në Odën Amerikane si dhe përfaqësues i kompanisë Delfin LTD, përmendi se kushtetuta e vendit parasheh për një ekonomi të tregut të lirë, duke theksuar se institucionet duhet që rrjedhimisht të angazhohen për përmbushjen e këtyre dispozitave kushtetuese dhe të përmbahen nga vendimet e njëanshme dhe ndryshimet ligjore që cenojnë tregtinë e lirë. Si shembull për këtë u morr, projektligji i tregtisë i propozuar nga Ministria e Tregtisë në mandatin e fundit qeverisës, i cili parashihte dispozita rënduese në sektorin e tregtisë.
Hakif Gashi, zëvendëspresident i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, si dhe përfaqësues i kompanisë Meridian Corporation, u shpreh se tregtia në efekt ndërlidh të gjithë sektorët, duke përfshirë edhe prodhimin dhe shërbimet, prandaj duhet vlerësuar rëndësia e saj në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. Ai tha më tej, se Qeveria e re, duhet të marrë në konsideratë rekomandimet e Odës Amerikane, si dhe të organizatave të tjera të sektorit privat, meqë do të ndihmojnë në ruajtjen e një mjedisi të shëndoshë të të bërit biznes.
Përparim Tushaj, përfaqësues i Japan Tobacco International, foli për nevojën e parashikueshmërisë në operime të industrive përkatëse, duke theksuar se vendimet e atypëratyshme cenojnë planifikimin e bizneseve dhe vështirësojnë operimin e tyre. Ai tha se Kosova megjithatë ka pasur një mjedis më të mirë të të bërit biznes krahasuar me vendet e tjera fqinje dhe kjo duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Tushaj e konsideroi si të nevojshme që Kosova të nisë me atë që njihet si Vlerësim i Ndikimit Rregullativ, i cili për shembull zbatohet në Shqipëri, e i cili merr në konsideratë ndikimin që politikat e caktuara mund të kenë në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Bizneset e tjera të pranishme shprehën po ashtu shqetësimet e tyre lidhur me tentimet e politikës për ndërhyrje edhe në ekonominë e tregut, por edhe në operimet e bizneseve private, duke theksuar si të nevojshme mes tjerash edhe përdorimin më efikas të parasë publike, si dhe luftimin e korrupsionit dhe informalitetit.