Koalicioni Qeverisës ende nuk ka vendosur për ndarjen e postove të zëvendësministrave.
Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj është ekzekutivi më numrin më të madh të ministrive që ka pasur deri më tash Kosova, me 21 ministri.
Si rezultat i numrit të madh të ministrive, kabinetit qeveritar do t’i shtohet së paku edhe 50 zëvendësministra.
Por, deri më tani ende nuk është emëruar asnjë zëvendësministër, shkruan lajmi.net.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj i cili është edhe zëvendëskryetar i PDK-së, i pyetur nëse kanë vendosur se kush do të jenë zëvendësministrat nga kjo parti, ka thënë se për këtë proces janë duke u konsultuar me kryeministrin Haradinaj.
“Jemi ne koordinim me kryeministrin Haradinaj dhe për pozitat se ku shkojnë dhe kush do jetë zëvendësministër”, ka thënë Hoxhaj për lajmi.net.
E vetmja parti pjesë e koalicionit qeverisës që ka dërguar tek kryeministri emrat e disa prej e zëvendësministrave është AKR.
Nga 7 zëvendësministra sa do t’i ketë kjo parti, 4 nga ta janë propozuar. Arbër Geci do të jetë zv.ministër i Arsimit; Vesel Makolli, zv.ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale; Fatmir Makolli, zv.ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor; Rejhan Vuniqi, zv.ministre e Jashtme.
Qeveria e Kosovës po ashtu ka edhe pesë zëvendëskryeministra.