Nëntëmbëdhjetë pika të rendit të ditës janë trajtuar në mbledhjen e së martës të Qeverisë dhe censura është vënë në funksion në njërën prej tyre – në të katërmbëdhjetën. Në të parashihej që për “Trepçën” të informohej kabineti qeveritar, shkruan sot Koha Ditore.
Mbështetur në rendin e ditës, në këtë pikë kryeministri Ramush Haradinaj duhej t’i informonte vartësit e tij lidhur me hapat që duhet ndërmarrë, me qëllim të zgjidhjes së problemeve me të cilat është duke u ballafaquar gjiganti më i madh metalurgjik që ka Kosova, tri njësi thelbësore të të cilit, nëpërmjet një ligji, i kanë kaluar në pronësi Qeverisë vitin e shkuar.
“Unë po ju kursej që të mos i lexoj të gjitha këto. I keni materialet. Pra, është njoftim. Nuk ka votim sot”, ka arsyetuar Haradinaj mosinformimin publik që parashihej në këtë pikë. “U është dedikuar ministrive veç e veç kërkesa e duhur”.
Ka një vit prej kur është miratuar Ligji për “Trepçën”. Mbështetur në të, regjistrimi i njësive organizative bëhet pas definimit dhe vlerësimit të aseteve. Duke u bazuar në studimin e fizibilitetit dhe me metoda standarde të vlerësimit, vlera e aseteve pastaj përcaktohet në statut.