Qeveria hyn borxh në Trust

Prishtinë | 21 Tet 2016 | 13:15 | Nga

Me ndryshimet e fundit në Ligjin për Fondet Pensionale, Qeveria e Kosovës i ka hapur rrugë vetës që t’i fus duart në paratë e pensioneve. Kjo është formë e kredimarrjes që, sipas njohësve të ekonomisë, pritet ta ngarkojë edhe më shumë borxhin publik, shkruan Gazeta Fjala.

Sipas propozimeve të fundit ligjore, të gjitha paratë e pensioneve që nuk kanë titullar Trusti do t’i mbledhë me një llogari të veçantë dhe nëse deri në 6 vite nuk lajmërohet titullari, atëherë mjetet i kalojnë Qeverisë se Kosovës.

Janë plot nëntë milionë euro para të kontributdhënësve të paidentifikuar, që pritet t’i derdhën në konto Qeverisë, sapo Ligji me ndryshimet e propozuara ta marrë formën e prerë, shkruan Gazeta Fjala.

Kjo shumë e mjeteve është grumbulluar deri në vitin 2012.

“Në rast se për kontributet përkatëse nuk identifikohen paguesit nga ana e Fondit dhe nuk ka as lajmërim nga ana e vet paguesve deri në gjashtë (6) vjet nga viti i pagesës, atëherë Qeveria e Republikës së Kosovës e ka të drejtën e marrjes së vendimit për inkasimin e Fondeve përkatëse në Buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në amendamentet e propozuara nga Qeveria.

Rexhepi: Kjo konsiderohet si borxh

Në bazë të ndryshime të propozuara në Ligj, kjo do të jetë një lloj kredimarrje, pasi nëse kontributdhënësi lajmërohet pas gjashtë vitesh, atëherë paratë duhet t’i kthehen se bashku me kamatë.

“Në rast të identifikimit të paguesve të kontributeve pas afatit gjashtë (6) vjeçar, mjetet e inkasuara sipas paragrafit 11 të këtij neni i kthehen Fondit, së bashku me kamatën ekuivalente me fitimin mesatar që ka pasur Fondi gjatë kësaj periudhe”, thuhet në njërin nga ndryshimet e propozuara në Ligj.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se transferimi i këtyre mjeteve në buxhet, është një lloj borxhi.

“Kjo do ta rrisë borxhin publik”, vlerëson Rexhepi, derisa shton se është e habitshme se si në Trust ka mjete pa pronarë.

“Duhet pasur parasysh se kanë kaluar 12-13 vite. Ka pasur ndryshime të ligjeve, akteve tjera normative, për arsye se defektet mund të jenë ndoshta në mënyrën se si janë hartuar dhe zbatuar ato. Përndryshe, nuk mund të ketë mjete pa pronarë, eventualisht edhe nëse janë shuar ato biznese, përsëri ekziston një emër i një personi apo individi që duhet të jetë pronarë i këtyre mjeteve”, thotë Rexhepi.

Shpjegimet e Trustit

Në anën tjetër, Jeton Demi, nga Trusti i Kursimeve Pensionale, ka shpjeguar për media se si kanë arritur mjete financiare në këtë institucion pa emër dhe mbiemër.

Deri në vitin 2012, sipas Demit, punëdhënësi fillimisht ka paguar kontributet dhe tatimet dhe më pas i ka dërguar raportet se për kënd ka paguar ato kontribute dhe tatime.

“Para këtij viti, shuma ka arritur në 45 milionë euro. Por, me iniciativën e Trustit dhe Administratës Tatimore të Kosovës, kemi ardhur në një shumë që është në nëntë milion euro, për të cilat nuk dimë se kujt i takojnë. Dhe kryesisht nga kontaktet që jemi munduar t’i gjejmë, janë kryesisht organizata të cilat janë shuar apo kanë ndryshuar mënyrën e aktivitetit”, është shprehur Demi për REL.

Rreth 1.4 miliard euro është shuma e mjeteve të mbi 532 mijë kontribut-paguesve, që i menaxhon Trusti i Kursimeve Pensionale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme