Qeveria i jep Nexhmije Pagarushës statusin e qytetares me merita të veçanta

Prishtinë | 02 Tet 2018 | 14:49 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këngëtares Nexhmije Pagarushës i është dhënë statusi i qytetares me merita të veçanta për kontributin e saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe. Ky vendim u mor sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, derisa arsyetoi propozimin e tij tha se me këtë vendim Pagarusha do të mbështetet  edhe financiarisht me nga 500 euro në muaj.

“Ikona e muzikës shqipe bart një bagazh të kulturës së mirëfilltë shqipe. Nexhmije Pagarusha gëzon respekt edhe sot. Kërkoj që Nexhmije Pagarushës  t’i njihet statusi i qytetares me merita të veçanta për kontributin e saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe. Edhe mbështetjen financiare  prej 500 euro në baza mujore”, ka deklaruar Gashi.

“Nexhmije Pagarusha siç njihet në popull bilbili i muzikës shqipe, me paraqitjet e saj në shumë vende të botës bëri që karriera e saj të jetë e bujshme, duke përfaqësuar kësisoj Kosovën dhe përçuar vlerat dhe traditat e vendit tonë. Ajo interpretoi në festivale dhe skena të njohura ndërkombëtare, duke interpretuar edhe vepra të përkthyera në gjuhën shqipe, si ato të Bethovenit etj”.

Gashi foli edhe rreth “Bareshës” duke theksuar se Nexhmije Pagarusha në krijimtarinë e vet muzikore mendohet t’i ketë interpretuar mbi 150 këngë.

“Shumicën nga këto (këngë) ia kushtoi vendit dhe dashurisë duke filluar nga Kryevepra ‘Baresha’ që me interpretimin e saj i paraqiti vlerat e Artit dhe Kulturës, edhe në atë kohë kur muzika shqipe dëgjohej dhe kultivohej shumë pak”.

Gjithashtu, ai foli edhe rreth çmimeve të saj në skena të njohura vendore dhe ndërkombëtare. “Nexhmije Pagarusha gëzon respekt edhe sot nga personalitetet të shumta vendore dhe ndërkombëtare, Veprat e mira nuk kanë çmim, por kultivuesit meritojnë mbështetje”.

 

Të ngjashme