Qeveria e Kosovës ka bartur tek presidenti i shtetit kompetencën për zbatimin e marrëveshjeve të deritashme me Serbinë, krahas përcaktimit për t’ia lënë në dorë edhe fazën finale të dialogut, shkruan sot Koha Ditore . Në Kuvend kanë alarmuar se kjo bart rreziqe për vendin, meqë legjislativi nuk ka autoritet mbikëqyrës mbi kreun e shtetit.
Ekzekutivi, në mbledhjen e mbajtur një ditë më parë, ka miratuar Planin aksional për adresimin e rekomandimeve të Raportit për Kosovën, që javën e shkuar e ka publikuar Komisioni Evropian. Në kapitullin e katërt janë të listuara dy veprime, që i referohen normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Aty Presidenca është identifikuar si institucion për “intensifikimin e punës në zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut teknik”.