Një nga vendimet e fundit të legjislaturës së gjashtë, që është shpërndarë më 22 gusht, ka qenë propozimi i Nait Hasanit për ambasador në Shqipëri. Hasani ishte deputet i Partisë Demokratike, të cilën e drejton tashmë ish-kryeparlamentari Kadri Veseli.
Këtë të hënë, pajtueshmërinë për kandidaturën e ka dhënë edhe presidenti Hashim Thaçi, i cili përpara se të vendosej në majë të pushtetit drejtonte PDK-në, shkruan sot Koha Ditore. Kjo, menjëherë e ka aktivizuar Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ky institucion ka kërkuar nga Tirana zyrtare që ta japë pëlqimin për ambasadorin.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh komplimentet e saj Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe ka nderin që të njoftoj se presidenti i Republikës së Kosovës, SH.T.Z. Hashim Thaçi, propozon kandidaturën dhe kërkon pëlqimin për z. Nait Hasanin si ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Republikën e Shqipërisë, me rezidencë në Tiranë”, thuhet në Notën Verbale që mban datën 2 shtator.