Qeveria: Kosova është NATO dhe NATO është Kosovë

Prishtinë | 14 Dhj 2018 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovë ka uruar qytetarët pas miratimit nga Kuvendi të tri projektligjeve: Projektligjin për Forcën e Sigurisë, Projektligjin për Shërbimin në FSK dhe Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Duke kujtuar dhe nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për lirinë dhe shtetin tonë dhe duke shprehur mirënjohje për misionin e NATO-s, KFOR-it, të gjithë trupave ushtarake të vendeve aleate: ShBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, e të gjitha atyre vendeve që i shërbyen paqes në Kosovë, Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se sot po kurorëzohet rrugëtimi për konsolidimin e plotë e të brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se me miratimin e Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës – ne përcaktojmë kompetencat, organizimin dhe funksionimin e FSK-së, si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të integritetit territorial, qytetarëve, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës, dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

“Po ashtu, me miratimin e Projektligjit për Shërbimin në FSK ne rregullojmë kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK, si një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, jo diskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies; me miratimin e Projektligjit për Ministri në e Mbrojtjes, ne riorganizojmë dhe kalojmë nga Ministria e FSK-së në Ministri të Mbrojtjes, me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi FSK-në me strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj. Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se e drejta e Kosovës për ushtri, një forcë multietnike e profesionale të ndërtuar sipas standardeve më të larta të NATO-s buron nga sakrifica dhe liria, nga e drejta e shtetit, nga sovrani, vullnetit qytetar për të mbrojtur dhe promovuar vlerat pro-perëndimore në Kosovë dhe më gjerë. “Kosova është NATO dhe NATO është Kosovë. Për këtë askush mos të ketë asnjë dyshim. Së bashku me aleatët, NATO-n do të jemi vetëm në shërbim të demokracisë, sigurisë, paqes dhe zhvillimit në Kosovë, rajon e kudo që kërkohet”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme