Puna rreth vlerësimit të performancës së cilit ministër të kësaj Qeverie do të përmbyllet deri më 18 janar. Vlerësimet e performancës nënkuptojnë pra, “matjen, ose qitjen në peshore” të aftësive profesioniste dhe shkathtësive menaxheriale e ministrore të secilit ministër të Qeverisë Kurti 2.
Qeveria Kurti 2 këto ditë ka nisur të vlerësojë performancën e ministrave të vet për periudhën qëkur kanë nisur punën në krye të dikastereve qeveritare. Sipas burimeve të besueshme të Buletinit Ekonomik, puna rreth vlerësimit të performancës së akcilit ministër të kësaj Qeverie do të përmbyllet deri më 18 janar.
Do të shihet, pra, konkretisht se cili ministër i Qeverisë Kurti 2, në periudhën 11 mujore, që kur VV-ja fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar, përmbushi dhe realizoi detyrimet, parashikimet qeveritare dhe vetjake dhe cili dështoi në realizimin e pritshmërive të tij, vizioneve dhe premtimeve me rastin e marrjes së detyrës në krye të dikasterit përkatës.
Vlerësimet e performancës nënkuptojnë pra, “matjen, ose qitjen në peshore” të aftësive profesioniste dhe shkathtësive menaxheriale e ministrore të secilit ministër të Qeverisë Kurti 2. Dhe, kjo “matje”, ose ky vlerësim do t’i shërbejë, sipas burimit të Buletinit Ekonomik, kryeministrit Albin Kurti, që në rast të ndërrimit eventual të përbërjes aktuale të Qeverisë, të vendosë për ndërrimin apo mbetjen edhe më tutje në postin e ministrit të secilit anëtar qeverie.