Sot duhet ta mbajmë distancën sociale, por nuk duhet të distancohemi nga demokracia.
Ne jemi shtet Parlamentar dhe demokracia jonë buron nga Kuvendi. Nëse nuk funksionon Kuvendi nuk ka demokraci.
Sot na duhet demokracia që të mos i frikësojmë qytetarët me mungesën e saj. Nuk ka armë më të fortë kundër koronavirusit sot sesa demokracia funksionale dhe një Qeveri unike.
Qeverinë e tillë sot nuk e kemi. Mjerim politik por realitet i dëmshëm. Edhe sikur ta kishim një qeveri krejt unike dhe funksionale, sikundër nuk është kjo e jona sot, Kuvendi duhet të funksionojë dhe seancat të mbahen.
Kuvendarët po qe nevoja duhet ta rrezikojnë jetën që të mos e rrezikojnë Kosovën, qytetarët dhe rendin juridik.
Shtetet që kanë traditë të gjatë të demokracisë nuk ia kanë vërë drynin Parlamentit edhe përkundër luftërave dhe epidemive. Parlamenti në Britani përkundër reduktimeve në staf e punë vazhdon të funksionojë këto ditë.
Ky Parlament atje funksionon edhe pse kanë një Qeveri unike dhe shumë funksionale. Ky Parlament ka funksionuar edhe në rrethana lufte.
Sot tek ne Kuvendi duhet të funksionoj për aq sa e ka humbur unitetin kjo Qeveri. E kjo Qeveri e ka humbur unitetin dhe e ka kthyer në përçarje.
Me duart e saj e ka nënshkruar humbjen e legjitimitetit.