Qeveria miratoi Agjendën për Reforma Evropiane

Prishtinë | 09 Nën 2016 | 13:27 | Nga

Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e 115-të të rregullt, në të cilën ka miratuar Agjendën për Reforma Evropiane si dhe ka marrë vendime të tjera.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, gjatë prezantimit të Agjendës për Reforma Evropiane, tha se ajo është rezultat i një përpjekje të gjatë të institucioneve në nivelin më të lartë politik, bashkërisht edhe me institucionet e Bashkimit Evropian dha ka rëndësi të veçantë politike, por edhe në përmbushjen e detyrimeve të veçanta që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.

“Më konkretisht, me këtë Marrëveshje e cila është ideuar së bashku me përfaqësuesit e BE-së gjatë këtij viti dhe në prag të hyrjes së MSA-së në fuqi, janë bërë konsultime të domosdoshme, dhe kjo Marrëveshje, e cila tashmë është e lansuar dhe nënshkruar nga Kryeministri Mustafa dhe Komisioneri Hahn, po ashtu është lansuar edhe më 17 maj të këtij viti në Konferencën e Nivelit të Lartë Kosovë-BE.

Më lejoni të them që Marrëveshja do të shërbej si dokument formal për zhvillimin e dialogut të nivelit të lartë politik mes Republikës së Kosovës dhe BE-së dhe do të shtyj përpara zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe reformat tjera fondamentale, që kanë të bëjnë me aderimin e Kosovës në kuadër të BE-së duke përfshirë në veçanti marrëdhëniet ekonomike, politike dhe institucionale. Kjo Marrëveshje ka për qëllim që të arsyetoj aktivitetet tona dhe të rris vëmendjen e lartë politike në realizimin e reformave kyçe, qoftë atë ekonomike, sundimin e ligjit dhe konsolidimi i qeverisjes së mirë. Këto do të arrihen bashkërisht përmes institucioneve tona në koordinim të plotë dhe në një koordinim dhe mbikëqyrje të plotë po ashtu nga ana e BE-së. Më lejoni të them se këtu janë tri fusha apo tri shtylla kryesore të cilat do të koordinohen dhe kanë për fokus këtë Marrëveshje:

– Qeverisja e Mirë dhe Sundimi i Ligjit

– Konkurrueshmëria dhe klima e investimeve në Kosovë, dhe

– Punësimi dhe sektori i arsimit.

Sa i përket shtyllës së parë Qeverisja e Mirë dhe Sundimi i Ligjit, përmban 9 prioritete sikur që janë: reforma në administratën publike, politikat kundër korrupsionit, reforma në sistemin e drejtësisë, prokurim publik, dhe çështje tjera që lidhen me këtë, duke përfshirë sistemin e llogaridhënies dhe transparencës së funksionimit që nga partitë politike deri tek institucionet e pavarura.

Sa i përket shtyllës së dytë, Konkurrueshmëria dhe klima e investimeve, janë paraparë shtatë prioritete që prekin klimën afariste dhe të investimeve në Kosovë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, infrastrukturën dhe energjinë. Natyrisht se kjo klimë ka për nevojë që të përmirësoj infrastrukturën e domosdoshme në vendin tonë, që do të jetë në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare, duke përfshirë edhe modernizimin e sektorit të energjisë dhe efiçiencën e energjisë dhe burimeve të ripërtritshme.

Dhe shtylla e tretë që ka të bëjë me Punësimin dhe Arsimimin, që përmban 6 prioritete kryesore, që ka për qëllim të avancoj politikat e arsimimit dhe të punësimit, duke adresuar papunësinë e të rinjve dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës. Këto çështje dhe çështjet tjera do të lansohen konkretisht më datën 11 të këtij muaji së bashku nga kryeministri Mustafa dhe z. Hahn që do të jetë në Kosovë, dhe besoj se kjo do të jetë një prej prioriteteve tona kyçe por edhe pikë rrëfyese për punën e Qeverisë në këtë vit dhe vitin që do të vije”, tha zëvendëskryeministri Kuçi.

Kryeministri Isa Mustafa lidhur me këtë pikë, theksoi se është fjala për një dokument tepër të rëndësishëm, i cili e orienton punën e Qeverisë edhe sa i përket anës ekonomike dhe politike të implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, por edhe në krijimin e hapësirës në të ardhmen për integrim në Bashkimin Evropian. “Është një agjendë që kërkon një sinergji të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të organeve të pavarura. Mendoj se është e udhës që këtë ne ta aprovojmë, do ta promovojmë së bashku me Komisionerin Hahn në fund të kësaj jave, mirëpo më vonë mbetet që ne konkretisht të angazhohemi në implementimin e saj”, tha kryeministri Mustafa.

Kabineti qeveritar miratoi propozimin-vendimin përfundimtar për shpronësimet të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës R6 Prishtinë-Han i Elezit, sektorët C2C dhe C3, Komuna e Kaçanikut.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, u mor vendim për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave shoqërore të KBI Progres, të cilat preken nga realizimi i Projektit për ndërtimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza, Zona Kadastrale Vllashnje, Komuna e Prizrenit.

Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin lidhur me shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim dhe krijimin e detyrueshëm të servitutit për interes publik të pronave private dhe shoqërore, të cilat preken nga realizimi i Fazës së Tretë për ndërtimin e Fabrikës së Re të Ujit në fshatin Shkabaj.

U miratua edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të Ndërtesave të ish NSH “Gërmia” Prishtinë, Zona Kadastrale Prishtinë, Komuna Prishtinë, për nevoja të akomodimit të institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në këtë pikë u diskutua edhe çështja e pagesës nga ana e Qeverisë vetëm të 20 % për ish-punëtorët dhe jo në tërësi shuma që mund të shkoj në rastin e kompensimit.

Në mbledhjen e Qeverisë u miratua edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë nr. 05/24 të datës 17 prill 2015 për themelimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës, me të cilin Forumi Ekonomik i Grave, u bë anëtar me të drejta të plota në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Edhe kërkesa e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e buxhetit për zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar komune në Gllogovc, mori mbështetjen e kabinetit qeveritar.

Qeveria miratoi edhe propozim-vendimin për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministres së Drejtësisë për nënshkrimin e “Marrëveshjes për Transferim të Personave të Dënuar”, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë.

Edhe propozim-vendimi për shfuqizimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës nr. 09/18 datë 11 mars 2015 me të cilin është themeluar Komisioni për hartimin e draftit të Kodit Civil, mori miratimin e kabinetit qeveritar. Përmes këtij shfuqizimi do të mundësohet që për çështjen e hartimit dhe finalizimit të Kodit Civil të vendos Ministria e Drejtësisë si institucion kompetent dhe përgjegjës për hartimin e legjislacionit në fushën e drejtësisë.

Kryeministri Isa Mustafa dhe ministrat Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami e Blerand Stavileci, kanë njoftuar kabinetin qeveritar për vizitën në Londër, konkretisht për pjesëmarrjen në Forumin Ekonomik Mbretëri e Bashkuar-SHBA-Kosovë, që u mbajt në Londër.

Kryeministri Isa Mustafa vlerësoj lartë organizmin e këtij Forumi, duke theksuar se ai do të jetë i dobishëm për Kosovën dhe për marrëdhëniet ekonomike të Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke theksuar prezencën e madhe të bizneseve dhe të përfaqësuesve, kryeministri Mustafa tha se ka pas një prezantim të shkëlqyer të ministrave të Kosovës në fushat e tyre, konkretisht ministrit të Financave, ministrit të Zhvillimit Ekonomik, ministres së Tregtisë dhe Industrisë dhe ministrit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural dhe të Agjencionit KIESA në kuadër të MTI-së.

“Ka pasur një interesim mjaft të madh të bizneseve atje dhe të pjesëmarrësve për këto fusha. Gjatë kësaj kohe, ne kemi pasur një takim edhe me sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë të Mbretërisë së Bashkuar, z.Johnson, i cili me sa kemi informata do të vizitojë Kosovën gjatë kësaj jave, me zëvendëssekretarin dhe me drejtorin e Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, me të cilin i kemi diskutuar projektet, për të cilat edhe ministri i Financave mund t’ju njoftojë në mënyrë telegrafike”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi se Qeverisë së Kosovës i mbetet të punojë në këtë fushë, t’i përgatis edhe takimet tjera të Forumeve. “Jemi të interesuar që takimi në Itali të përgatitet mirë. Jemi të interesuar po ashtu edhe me Greqinë të organizojmë një Forum të bizneseve, sepse është afër dhe kemi interes të zhvillojmë bashkëpunimin ekonomik, i cili hapë pastaj perspektivë edhe për bashkëpunimin tjetër. Po punojmë me ministren e Drejtësisë në fushën e drejtësisë që agjendën e drejtësisë ta shtyjmë sa më shpejt, e cila po ashtu i ndihmon agjendës ekonomike. Të vazhdojmë me fazën e reformave fiskale. Tash është edhe zëvendëskryeministri Kelmendi, i cili është i interesuar që përvojat konkrete të bizneseve, edhe ato që konsiderohet që mund të ndihmojnë në barazimin e kushteve të afarizmit të bizneseve tona me bizneset tjera në regjion dhe në tregun evropian, të sigurohet bashkëpunimi me Ministrinë e Financave dhe me ministritë tjera dhe shpresoj që të kemi lajme të mira edhe në fushën e implementimit të marrëveshjeve të dialogut”, tha kryeministri Mustafa.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka vlerësuar lartë Forumin në Londër për promovimin e investimeve, duke veçuar faktin se në të investitorë të huaj që kanë investuar dhe që punojnë në Kosovë, i kanë prezantuar storiet e tyre, suksesin e tyre dhe çështjet e sfidat me të cilat ata përballen. “Ka një dakordim të përgjithshëm të shumicës së bizneseve që kanë marrë pjesë aty, që diku në fillim të vitit të ardhshëm të organizohet një ngjarje që është vazhdimësi e atij forumi në Prishtinë, por jo më një konferencë e përgjithshme, por një diskutim rreth projekteve specifike dhe sektorëve specifikë. Besoj, ministrja Bajrami veç ka filluar të punojë në këtë drejtim që të identifikohen tre katër sektorë që ka më shumë interes nga investitorë të huaj dhe ne të përgatitemi në ministritë përkatëse për të ofruar informatat dhe mandej dy-tri projekte që janë shumë më specifike të ofrojmë mundësi për investime, duke qenë se tash edhe baza ligjore na ofron atë me Ligjin për Investime Strategjike”, tha Hoti.

Ai po ashtu ka folur për takimet në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, me ç’rast ka thënë se ka një gatishmëri maksimale të EBRD-së për të mbështetur projektet që prezantohen nga Qeveria e Kosovës. “Tani ne e kemi një listë prej 16 projekteve që kanë kaluar në Këshillin Kombëtar për Investime në disa prej të cilave kemi bërë progres, disa tjera do t’i diskutojmë nesër bashkë me ministrin e Infrastrukturës, sepse shumica lidhen me infrastrukturën. Ajo që është risi dhe që ka gatishmëri nga EBRD është që ne shpejt, besoj brenda muajit, të hyjmë në një memorandum bashkëpunimi si Qeveri me EBRD-në, për mbështetje të sektorit privat”, tha ministri Hoti duke përmendur edhe komponentët e veçanta të kësaj mbështetje.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se Forumi Ekonomik në Londër ka qenë i suksesshëm dhe rreth 200 kompani kanë marrë pjesë.

“E veçanta e Forumit ka qenë që përmes kompanisë Developing Markets Associates, Forumi është vetëfinancuar nga bizneset dhe nuk ka pasur asnjë kosto nga Qeveria, që nënkupton se bizneset kanë qenë të interesuara që të marrin pjesë në Forum, përderisa të gjitha ato është dashur që të paguajnë një tarifë të veçantë. Ashtu siç potencoi ministri i Financave ne në Agjencionin KIESA dhe me organizatën DMA jemi pajtuar që pas tre muajve të gjitha kompanive që kanë qenë prezentë t’ju bëjmë një ftesë që ato të vijnë në Kosovë, duke treguar saktësisht se në cilët sektorë ato janë të interesuar, në mënyrë që deri atëherë ne kemi sigurisht edhe Ligjin për Investime Strategjike dhe përgatisim një listë të projekteve ku kompanive do t’ua prezantojmë këto projekte. Ka qenë shumë fat i mirë që kompanitë që kanë afaruar në Kosovë dhe kanë marrë pjesë në këtë Forum kanë shprehur progresin që ka bërë Kosova në ambientin e biznesit dhe kanë treguar storiet e tyre të biznesit. Në fakt kjo ka qenë e mirëpritur nga ndërmarrjet edhe të Britanisë dhe ndërmarrjet e Amerikës”, tha ministrja Bajrami, duke folur për planifikimin që në fillim të vitit tjetër të mbahet një Forum Ekonomik në Romë dhe në disa vende të tjera.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se gjatë Forumit janë bërë prezantime tematike duke vlerësuar lartë prezencën e jashtëzakonshme të bizneseve, por edhe shprehjen e interesimit të drejtpërdrejt për të investuar në Kosovë. “Prezenca e bizneseve aktuale dhe shembujt e tyre, modelet e tyre se si ata kanë nisur këto investime dhe afarojnë momentalisht në vendin tonë dhe po ashtu projektet të cilat jemi momentalisht duke i nisur në mesin e të cilave kemi bërë prezantimin edhe të projektit më të madh në formën e një investimi të huaj të jashtëm, pra atë të Termocentralit “Kosova e Re”, por edhe interesimi që është shfaqur mbi të gjitha në tri fusha, dhe unë kam pasur gjatë gjithë kohës brenda asaj dite, takime me një pjesë të madhe të investitorëve që kanë qenë të interesuar për të investuar në fushën e burimeve të ripërtëritshme, të minierave, dhe sidomos investime në ekonominë digjitale, në atë që po besojmë të gjithë, pra si teknologji e komunikacionit dhe komunikimit elektronik që mund të jetë baza edhe e zhvillimit ekonomik të vendit tonë, sidomos për ngritjen e këtyre bizneseve, për ngritjen e eksporteve dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Përveç kësaj, kemi edhe një moment të rëndësishëm, njëjtë sikurse edhe ju gjatë vizitës që e keni pasur, edhe unë jam takuar me drejtuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilët natyrisht që e kanë mirëpritur shumë hapur përkrahjen që Banka Botërore po i jep dhe do t’i jap në mënyrë konkrete Strategjisë sonë për Energjinë, për dhjetë vitet e ardhshme 2017-2026 dhe konkretisht për ngritjen e kapaciteteve të reja të Termocentralit “Kosova e Re”. Normalisht që me këtë nuk ka përfunduar. Ne presim që shumë shpejt, ndoshta ndryshe prej herëve tjera, të ketë vazhdimësi të këtij dialogu, por pastaj edhe iniciativa konkrete, duke shfrytëzuar tash edhe bazën e rifreskuar ligjore me Ligjin për Investime Strategjike, në mënyrë që këta investitorë të kenë sa më të lehtë për të investuar në Kosovë dhe iniciativat që ne jemi duke i bërë që njëherit i kanë mirëpritur si për shembull “One Stop Shop” të cilën ne shumë shpejt do ta bëjmë për burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe i cili do të shërbej edhe për sektorët tjerë në mënyrë që ta lehtësojmë jetën dhe më vonë vendimmarrjen dhe operimin e këtyre bizneseve në vendin tonë”, tha ministri Stavileci.

zkp-2

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme