Qeveria e Kosovës ka mbajtur të hënën një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar dy nisma për lidhje të marrëveshjeve me Shqipërinë.
Në komunikatën për media u tha se marrëveshjet që pritet të lidhen mes dy vendeve kanë të bëjnë me lehtësimin e procedurave në pikat e inspektimit kufitar për produktet me origjinë joshtazore, dhe tjetra që lidhet me bashkëpunimin arsimor dhe shkencor.
Në nismën e parë, Qeveria tha se synohet të promovohet tregtia, heqja e barrierave dhe lehtësimi i procedurave të kontrollit. Në nismën e dytë, bashkëpunimi arsimor dhe shkencor pritet të jetë reciprok për të dy qeveritë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar: Nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunimin në lehtësimin e Procedurave në Pikat e Inspektimit Kufitar për produktet me origjinë jo Shtazore. Marrëveshja synon të promovojë tregtinë, heqjen e barrierave dhe lehtësimin e procedurave të kontrollit duke pasur parasysh marrëdhëniet e zhvilluara deri tash dhe duke synuar forcimin dhe shtrirjen e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e bujqësisë. Nismën për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim Arsimor dhe Shkencor me përfitim reciprok”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Institucionet e Kosovës dhe të Serbisë do të mbajnë mbledhje të përbashkët të mërkurën (14 qershor).