Qeveria miraton masat e reja dhe lehtëson procedurën e blerjes së vaksinës anit-Covid

Prishtinë | 15 Jan 2021 | 12:10 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhje korresponduese\elektronike, mbledhja e 58-të me radhë, në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente tjera nga fusha e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Dokumenti i parë i shqyrtuar dhe miratuar nga kabineti qeveritar ka qenë Raporti i Punës së Qeverisë për periudhën qershor-dhjetor 2020.  Në vazhdim është shqyrtuar dhe miratuar edhe Rregullorja për Rregullat dhe Mënyrën e Sjelljes së Vizitorëve në Hapësirat e Kompleksit Memorial “Adem  Jashari” në Prekaz.

Dy Udhëzime Administrative kanë marrë miratimin e Qeverisë, Udhëzimi Administrativ për Mbrojtjen dhe Trajtimin e Fëmijëve Kryerës të Veprave Penale nën Moshën e Përgjegjësisë Penale dhe Udhëzimi Administrativ për Zbatimin e Drejtësisë Mike ndaj Fëmijës në Procedurën Penale, Civile dhe Administrative.

Kabineti qeveritar, pas shqyrtimit ka miratuar edhe nismën për lidhjen e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Me vendimin e miratuar nga kabineti qeveritar, janë aprovuar masat për zbatimin e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike për vitin 2021 në vlerë prej dyqind e njëzetë e dy milionë e katërqind mijë euro (222,400,000.00 €). Qeveria gjithashtu ka miratuar vendimin për alokimin e parakohshëm nga ndarjet aktuale buxhetore për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për të gjitha kategoritë e shpenzimeve me qëllim të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, sipas kërkesës së datës 8 janar 2020 të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë është miratuar vendimi për përjashtimin e Nenit 3 të Ligjit për prokurimin publik në Republikën e Kosovës për negocimin e kontratës për sigurimin e  vaksinave anti-COVID – 19.

Duke vepruar sipas propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë, është aprovuar edhe vendimi për ndryshimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtje nga pandemia Covid-19 në Republikën e Kosovës.

Të ngjashme