Qeveria miraton nismën që i lejon qytetarëve të Kosovës e Bosnjës udhëtimin vetëm me letërnjoftime

Prishtinë | 21 Maj 2021 | 13:40 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovë ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe palëve të treta, raporton Ekonomia Online.

Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnje dhe Hercegovinës që të hyjnë në territorin e njëra-tjetrës me letërnjoftim biometrik.

Ministri i MPB-së Xhelal Sveçla ka sqaruar se personat e palëve të treta janë personat që nuk janë shtetas të palëve nënshkruese.

“Kjo draft marrëveshje është për krijimin e interesave të përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit rajonal si rezultat i zotimit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes…Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i kushteve për hyrje, kalim tranzit dhe qëndrim afatshkurtër me letërnjoftim të qytetarëve të palëve të përfshira në marrëveshje”.

“Si rezultat qytetarët e palëve në marrëveshje do të kenë të drejtën që lirshëm të hyjnë, të kalojnë tranzit dhe të qëndrojnë në territorin e palëve për periudhën, e të cilët palët do të thjeshtojnë procedurat administrative për hyrjen tranzit dhe qëndrimin e shkurtër të qytetarëve të palëve me letërnjoftim biometrik. Vlen të theksohet se kjo marrëveshje do ti mundësoj qytetareve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Bosnje Hercegovinës që për herë të parë të kenë mundësi të lëvizin në territorin e njëra tjetrës vetëm me letërnjoftim biometrik”.

Ai kërkoi po ashtu edhe miratimin e nismës “Marrëveshjes Ndërkombëtare mes Shqipërisë, Bosnjë Hercegovinës, Serbisë, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve të palëve të treta”, e cila u miratua nga Qeveria e Kosovës.

“Më lejoni që të prezantoj para jush nismës për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare mes Shqipërisë, Bosnjë Hercegovinës, Serbisë, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve të palëve të treta. Kjo draft marrëveshje është në frymën e interesave të përbashkëta dhe bashkëpunimit rajonal si rezultat i zotimit nga liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes, të mbajtur në muajin nëntor të vitit 2020 ku u nënshkruan dy deklaratat ajo për tregun e përbashkët rajonal me deklarata për agjendën e gjelbër, ky samit është vazhdimësi e procesit të Berlinit. Kjo marrëveshje përcakton kushtet e hyrjes, lëvizjes dhe qëndrimit të qytetarëve të palëve të treta në territorin e palëve në marrëveshje duke përdorur trafikun ajror, ujor dhe tokësor”.

Të gjitha vendimet në mbledhjen e Qeverisë:

Është miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit. Me ndryshimin dhe plotësimin e këtij vendimi, me propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës emërohet Sevdije Morina në vend të Arjana Shajovcit, dhe, me propozimin e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, emërohet Blerta Deliu-Kodra në vend të ish-deputetes Donika Kada-Bujupi.

Me propozimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qeveria ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe palëve të treta dhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe qëndrimit të shtetasve të Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe nisma për negocimin e Marrëveshjes ndërkombëtare të partneritetit për “Menaxhimin e grant kontratës të asistencës teknike në kuadër të Programit për Bashkëpunim Ndërkufitar ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut nën IPA II (2014 – 2020)”.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Nismën për negocimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin ” Mbështetja ndaj Reformës së Arsimit dhe Trajnimit Profesional në Kosovë – Faza 2″. Kjo marrëveshje ka të bëjë me projektin e përbashkët të zhvillimit dhe mbështetjes së përpjekjeve të vazhdueshme në Kosovë për kryerjen e reformave në sektorin e arsimit dhe aftësimit profesional i cili do të zbatohet në periudhën e ardhshme 5 vjeçare.

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës që të japë autorizimin për Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Amandamentimit 1, të Marrëveshjes Kornizë të Kredisë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”. Amandamentimi 1 i siguron Kosovës një shtesë prej 25 milionë euro të kredisë së nënshkruar më herët, dhe shuma totale e kredisë tash është 60 milionë euro.

Me katër vendime të veçanta, Qeveria ka emëruar Bordet e Përkohshme të Drejtorëve në katër Ndërmarrje Publike:

  • Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Trepça” Sh. A. në përbërje:
  1. Bahri Hyseni, kryesues;
  2. Hekuran Nikçi, anëtar;
  3. Shyqri Kelmendi, anëtar;
  4. Alban Krasniqi, anëtar;
  5. Shyqyri Sadiku, anëtar.
  • Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes “Korporata Energjetike e Kosovës/KEK” Sh. A:
  1. Rrezarta Pllana, kryesues;
  2. Bezad Halilaj, anëtar;
  3. Merita Kasapolli, anëtare;
  4. Arbnorë Pula, anëtare.
  • Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Posta e Kosovës” Sh. A:
  1. Safije Beseni, kryesuese;
  2. Sebahate Krasniqi, anëtare;
  3. Genc Rama, anëtar;
  4. Naim Haliti, anëtar.
  • Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore – Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës “INFRAKOS” Sh. A:
  1. Enis Berisha, kryesues;
  2. Ardita Salihu, anëtare;
  3. Fitnese Ismajli, anëtare;
  4. Afrim Mehmetaj, anëtar.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për Ratifikimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit në këtë përbërje:

  1. Hasnije Ilazi;
  2. Gëzim Tosuni;
  3. Krenare Pireva Nuçi;
  4. Seb Bytyçi;
  5. Alison Felce;
  6. Cassie L. Barnhardt;
  7. Werner J. Stuber.

Anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit zgjedhen për mandat 5 vjeçar dhe fillojnë mandatin ditën e ratifikimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

https://vimeo.com/553292203

Të ngjashme