Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Ramush Haradinaj,hartimin e projektligjit për pagat e konsideroi “të arritur të madhe” të Kosovës.
“Kjo është një arritur e madhe e Kosovës e vendit tonë që do të kemi. Kostoja e lartë financiare vërtetë se është sepse me këtë Projektligj përveç pagës së kryeministrit askujt një cent nuk iu ka ulet paga”.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar tha se Projektligji synon një sistem transparencë.
“Projektligji për pagat përcakton krijimin e sistemit homogjen të pagave për të gjithë sektorin publik. Rregullat e reja synojnë një sistem transparent”.
Mirëpo ministri i Financave Bedri Hamza paralajmëroi për rreziqet që mund të sjellë miratimi i tij në sistemin makro-financiar.
“Do të votojë për por kam për obligim që të them disa çështje. Sa i përket kostos buxhetore ka dallim të madh sa i përket draftit dhe Projektligjit të propozuar ka kohezion të ligjeve të tjera ka kohezion në mes ligjeve është mirë që të gjithë sektorët të trajtohen njësoj”.
“Është shumë problem numri i madh i shtesave kur nuk dihet numri i përfituesve të shtesave. Ndikimi buxhetor nuk duhet me na sjellë në një situatë që na sjell në rrezik makro-financiar”.
Komente për projektligjin kishte edhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, raporton EO.
Bytyqi tha se duhet të bëhet baraspeshimi i koeficienteve të mësimdhënëseve me punonjësit e tjerë.
Javën e kaluar Qeveria kishte tërhequr nga rendi i ditës Projektligjin për Pagat pas vërejtjeve të shumta që ka dhënë Zyra e BE-së, për shkak të implikimeve buxhetore.
BE-ja kishte kërkuar që të bëhet një vlerësim mbi ndikimin fiskal të këtij projektligji. Bashkë me këtë projektligj nga rendi i ditës, qeveria kishte tërhequr edhe dy projektligje tjera që lidhen me administratën publike.