Qeveria e Kosovës ka miratuar një udhëzim administrativ me të cilin do të përcaktohet çmimi maksimal i lejuar për derivatet.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në arsyetimin e saj të paraqitur në mbledhjen e qeverisë, tha se “udhëzimi ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe mënjanimin e çrregullimit të tregut”, raporton Ekonomia Online.
Sipas saj, aktualisht ka mospërputhje të çmimeve në Kosovë me lëvizjet në tregjet botërore.
“Udhëzimi Administrativ për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e tjera Mbrojtëse bëhet me qëllim që të mbrohet konsumatori dhe konkurrenca për të mënjanuar çrregullimet në treg”.
“Në bazë të të dhënave që posedon MINT-i, të konfirmuara me evidencë nga bizneset nga Dogana dhe ATK-ja, ka mospërshtatje të çmimeve vendore krahasuar me lëvizjet në tregun botëror”, tha Hajdari, para kabinetit qeveritar.
“Mospërshtatja e çmimeve është një ndër shkaqet kur Qeveria mund të përcaktojë çmimin maksimal të lejuar, apo të kufizimit të marzhës tregtare. Do të jenë të bazuara në evidencat e Doganës dhe ATK-së”.
“Me këtë udhëzim MINT-i propozon përcaktimin e menjëhershëm të çmimit maksimal të lejuar për derivatet”, deklaroi ministrja Hajdari.
Ministrja Hajdari në arsyetimin e saj nuk ka përcaktuar ndonjë çmim maksimal të lejuar për naftën dhe as nuk ka thënë se kur do të ndodh kjo.
Çmimet e naftës janë rritur së fundmi në Kosovë. Sot një litër naftë në Kosovë shitej mbi 1.90 euro.
Qeveria e Kosovës më 1 mars pati marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale apo marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë.
Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare ishte deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë ishte në 6 për qind.
Naftarët në Kosovë më 9 qershor, përmes një shkrese drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrave të linjës së ekonomisë, kanë kërkuan që të ruhet ekonomia e tregut të lirë dhe që minimalisht marzha (çmimi maksimal) të jetë: për shitje me shumicë 3 për qind dhe për shitje me pakicë 12 për qind.
“Për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, sot Qeveria e Kosovës nga çdo litër naftë dhe benzinë të shitur mbledh rreth 64 centë, apo 12 centë më shumë sesa para krizës globale për litër”, u tha në shkresë.
Sipas naftëtarëve, nëse Qeveria dëshiron të mbrojë konsumatorët, duhet të ulë akcizën dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për naftën, sikurse, siç thanë, kanë bërë vendet e tjera të rajonit dhe Bashkimit Evropian.
Çmimet dhe kërkesa për naftë janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.