Buxheti për Policinë e Kosovës, i planifikuar për vitin 2017 pa mundëson blerjen e helikopterëve apo krijimin e njësisë ajrore, për faktin se një gjë e tillë nuk është paraparë në buxhetin e policisë për këtë vit i cili është 77 milionë euro, ku prej tyre janë vetëm 16 milionë për investime kapitale në të cilën kategori hynë plani për blerjen e këtyre helikopterëve.
Deklarimet e Ministrit të Punëve të Brendshme Skender Hysenit se Policia e Kosovës do të pajiset me helikopterë janë quajtur të pa vërteta dhe të pa bazuara nga Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimit.
Ai ka thënë për Indeksonline se Policia e Kosovës dhe drejtoria e saj e financave kanë kërkuar nga Ministria e Brendshme që në buxhetin e vitit 2017 të futet edhe një shumë e përcaktuar për blerjen e helikopterëve për operacione të veçanta, kërkesë kjo e cila është refuzuar nga Qeveria dhe nuk është futur fare në buxhetin e vitit 2017.
“Ajo çka po ndodh me deklarimet e Skender Hysenit në Komisionin për Siguri janë si pasoj e ngjarjeve të fundit që ka ndodhur, por kurrsesi nuk është si një platforme apo projekt i Qeverisë. Sidoqoftë blerja e Helikopterëve ndoshta mund të ndodhë pas rishikimit të buxhetit për këtë vit në muajin qershor”, ka thënë Selimi.
Ndërkaq Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, ka shpjeguar për Indeksonline se në planifikimin e buxhetit të Policisë së Kosovës për vitin 2017, nuk është bërë ndonjë kërkesë për shtim buxheti për blerjen e Helikopterëve.
“Policia e Kosovës e cila i ka 9012 të punësuar buxheti i tërësishëm është 77 milionë
e 700 mijë euro. Ndërsa për paga janë mbi 61 milion e 700 mijë euro.
Nëse ky plan për blerjen e helikopterëve është e bazuar në buxhet unë nuk e di sepse nuk e kemi pasur të veçuar në buxhet si kategori apo kërkesë”, ka thënë ai.
Osmani ka treguar se ky plani për blerjen e helikopterëve duhet të bëjë pjesë tek investimet kapitale, ku në përgjithësi janë të ndara 16 milionë e 192 mijë euro për policinë, ku sipas tij tani kjo është çështje e policisë ku i shkarkojnë ata këto mjete.