Qeveria ndan 20 mijë euro për familjen e Kujtim Veselit

Prishtinë | 22 Qer 2021 | 14:12 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës ka marrë vendim për ndarjen e 20 mijë eurove për familjen e Kujtim Veselit, raporton Ekonomia Online.

Kreu i Qeverisë, Albin Kurti tha se këto mjete ndahen nga zyra e kryeministrit që sado pak kjo familje të mbulojë shpenzimet.

“Vitin që shkoi gjykata e dënoi me 25 vjet burgim të akuzuarin për dhunimin e 11 vjetarit ashkali nga Fushë-Kosova”.

“Kujtimi kishte ndërprerë shkollimin”.

I ndjeri, u gjet i vdekur më 11 korrik 2019 poshtë shkallëve të një objekti banimi në lagjen “Xhemajl Mustafa” në Fushë-Kosovë.

S.O. më pas ishte dënuar me 25 vjet burgim për veprën penale dhunim dhe vrasje.

Të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë:

Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme është Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, me të cilin synohet që të hyjë në fuqi marrëveshja financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Qëllimi i kësaj marrëveshje ndërkombëtare është miratimi i programit vjetor IPA 2020, me anë të të cilit do të zbatohet asistenca e dhënë nga BE-ja për Kosovën në kuadër të IPA-s në formë të projekteve të përshkruara në kuadër të marrëveshjes në fjalë. Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje dhe zbatimi i saj janë në përputhshmëri të plotë me prioritetet e përcaktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, gjegjësisht prioritetet e përcaktuara në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025.

Miratimin e kabinetit e ka marrë edhe Projektligji për Ratifikimin e Amandamentimit nr. 1. të Marrëveshjes Kornizë së Kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.Amandamentimi i Marrëveshjes ka për qëllim ofrimin e mbështetjes për Qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj për t’u ofruar shërbime mjekësore të prekurve nga virusi COVID-19, në mënyrë që të forcohet ofrimi i këtyre shërbimeve dhe të ofrohet kujdesi i nevojshëm pavarësisht rritjes së kërkesës. Mbështetja kryesore do të jetë financimi për vaksinat COVID-19 për rreth 50% të popullsisë.

Po ashtu, qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Gjykatën Komerciale.Qëllimi i këtij Projektligji është themelimi, organizimi dhe funksionimi i Gjykatës Komerciale në Republikën e Kosovës. Ky Projektligj zbatohet ndaj të gjithë personave juridikë dhe fizikë, përfshirë shoqëritë tregtare të përcaktuara në Ligjin në fuqi për Shoqëritë Tregtare, në Republikën e Kosovës të cilët kanë konteste ekonomike ndërmjet tyre.


Njësoj, edhe Projektligji për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj në Republikën e Kosovës, ka marrë aprovimin e kabinetit qeveritar, i cili ka për qëllim rregullimin e të drejtave pronësore të personave të huaj fizikë dhe juridikë, duke përfshi krijimin, përmbajtjen, bartjen, mbrojtjen, kufizimin ose marrjen në pajtim me kushtet dhe procedurën të përcaktuar me ligje përkatëse si të pronësisë apo të drejtave të tjera sendore, që mund të krijohen sipas ligjit.

Më tej, kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit  dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim – ADA për Zbatimin e  Projektit “Hulumtimi  dhe Shkencat e Aplikuara në Arsimin e Lartë + (Heras)”, projekt ky i cili do të financohet nga ADA dhe MASHTI. MASHTI do të siguroj financimin e masave plotësuese\shumëfishuese të Projektit në shumë maksimale prej 300,000.00 euro, ndërsa ADA do ta bashkëfinancojë projektin në shumë maksimale 2,5000.000.00 euro. 

Projektligji për Masat për Uljen e Kostos së Shtrirjes së Rrjeteve të Komunikimeve Elektronike të shpejtësisë së Lartë, ka marrë po ashtu mbështetjen e kabinetit qeveritar. Ky projektligj ka për qëllim lehtësimin dhe nxitjen e ndërtimit të rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë duke promovuar përdorimin e përbashkët të infrastrukturës fizike ekzistuese dhe duke mundësuar një zhvillim më efikas të infrastrukturës së re fizike, reduktimin e procedurave, në mënyrë që këto rrjete  të mund të shtrihen me kosto më të ulët. Ky Projektligj aplikohet për të gjithë personat fizikë dhe juridikë, duke përfshirë subjektet publike dhe pronarët/bartësit e infrastrukturës së komunikimeve elektronike publike, si dhe për operatorët e rrjetit që ofrojnë infrastrukturë fizike, kapacitete në rrjetet e tyre të komunikimit.

Gjithashtu, miratimin e qeverisë e ka marrë edhe Projektligji për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës. Me këtë projektligj përcaktohen rregullat e përgjithshme për krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor- IKIH në Republikën e Kosovës, për jetësim të politikave hapësinore, mjedisore dhe aktiviteteve të cilat mund të kenë ndikim në to. Objektivat kryesore të projektligjit janë: definimi i qartë i përgjegjësive, detyrimeve të  institucioneve të Republikës së Kosovës që merren me krijimin e informacioneve hapësinore. Objektivi tjetër i këtij projektligji është edhe përcaktimi i kritereve për përgatitjen e informacioneve hapësinore që do të jenë pjesë e Infrastrukturës Kombëtare të Informacioneve Hapësinore për Republikën e Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-061 për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e drejta  banesore.Me këtë Projektligj rregullohen kushtet dhe mënyra e shitjes së banesave në pronësi shoqërore dhe publike në të cilat ekziston e drejta banesore apo e drejta e shfrytëzimit me qira për kohë të pacaktuar, së bashku me pjesët e përbashkëta dhe pajisjet e ndërtesës, si dhe mënyra e përcaktimit të çmimit shitës të banesës dhe shuarja së të drejtës banesore. Afati për aplikim për privatizimin e banesave sipas këtij ligji ka skaduar më 27 mars 2015, mirëpo gjendja aktuale e shitjes së banesave për të cilat ekziston e drejta banesore ende është e papërfunduar, bazuar në raportet e komisioneve të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e këtij procesi. Duke u bazuar në këto rrethana, me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-061, për Shitjen e Banesave për të cilat Ekziston e Drejta Banesore propozohet që të zgjatet afati për shitjen e këtyre banesave dhe të përfundojë ky proces brenda tre (3) vjetëve, përkatësisht deri në vitin 2023.

Edhe Projektligji për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit, është aprovuar në mbledhjen e sotme.Me këtë Projektligj themelohet Oda e Arkitektëve dhe Oda e Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit, si dy Oda të pavarura të cilat ushtrojnë kompetenca të caktuara publike. Ky Projektligj rregullon anëtarësinë, selinë, statusin, rolin dhe fushëveprimin e odave, profesionet, licencimin, përgjegjësinë disiplinore dhe edukimin e vazhdueshëm të arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit.

Me vendim të qeverisë është miratuar edhe Udhëzimi Administrativ për Strukturën e Pagesave të Ujit, me të cilin përcaktohet struktura dhe lartësia e pagesës për shfrytëzimin e ujërave, shkarkimin e ujërave, shfrytëzimin e inertëve dhe modalitetet e këtyre pagesave.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2021, si në vijim:

Ndryshohet afati i miratimit në Qeveri, i këtyre projektligjeve:

       – Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr.04/L-023 për Personat e zhdukur, afati i miratimit 31.07.2021;
  – Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi “Në Kontekstin e Aderimit në Bashkimin Evropian, afati i miratimit 14.07.2021;
   – Projektligji për Zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara, afati i miratimit 30.06.2021;
 – Projektligji për Shërbimin e Jashtëm, afati i miratimit 20.09.2021;
–  Projektligji për Protokollin e Shtetit, afati i miratimit 17.12.2021;
–  Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 07/L-041 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2021, afati i miratimit 30.06.2021.

Shtohet në Programin Legjislativ për vitin 2021:

      –  Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, afati i miratimit 29.10.2021;
– Projektligji për ratifikimin e Amandamentimit të Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për Projektin “Programi Mbështetës për Ujësjellës dhe Kanalizim në Zonat Rurale faza (dalëse) VI”, ndërmjet Qeverisë se Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës, afati i miratimit 15.09.2021.

Tërhiqet nga Programi Legjislativ për vitin 2021:

–   Projektligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhunën në Baza Gjinore.     

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Këshillit për Persona me Aftësi të Kufizuar, i cili përveç tjerash do të kryej rolin e një mekanizmi këshillëdhënës dhe orientues mbi përcaktimin e prioriteteve dhe politikave në fushën e Aftësisë së Kufizuar. Këshilli për Personat me Aftësi të Kufizuar, si mekanizëm monitorues dhe raportues do të punoj për krijimin e mundësive të barabarta, pjesëmarrjen e plotë dhe integrimin social të personave me aftësi të kufizuar, do të siguroj që nevojat dhe interesat e personave me aftësi të kufizuar të merren gjithmonë parasysh. Ky mekanizëm do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, znj. Emilija Rexhepi dhe do të bashkë-kryesohet nga Kryetari i  Forumit të Personave me Aftësi të Kufizuar.

Edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për familjen e të ndjerit Kujtim Veseli, i vrarë më 11 korrik 2019, ka marrë aprovimin e kabinetit qeveritar.Sipas kërkesës së Institucionit të Avokatit të Popullit, për familjen e të ndjerit Kujtim Veseli janë ndarë mjete financiare në vlerë prej 20,000.00 € (njëzetmijë euro).

Gjithashtu, është aprovuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 09/27, të datës 30.04.2020 për emërimin e anëtarëve të Bordit Drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Kështu, nëvend të  znj. Dafina Gexha, kryesuese, emërohet znj. Dr. Burbuqe Nushi, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës – IKSHPK.

Qeveria miratoi edhe vendimin për emërimin e Komisionit Përzgjedhës për rekomandimin e kandidatëve për kryetar dhe 2 (dy) anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit , nëkëtë përbërje:

 – Enis Spahiu, Zv. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, kryesues;
–  Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, anëtare;
– Naim Bardiqi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, anëtar;
–  Fadile Dyla, Zv. Sekretare e Përgjithshme e  Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, anëtare; dhe
-Agon Hysaj, Shoqëria Civile, anëtar.

Po ashtu, është miratuar edhe vendimi për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Duke ju referuar të dhënave aktuale mbi situatën epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShPK-së, Qeveria vazhdon lehtësimin gradual të masave që  mundësojnë një aktivitet të shtuar ekonomik, por një­kohë­sisht që synojnë kontrollimin e përhapjes së infeksionit.

Lehtësimi i masave është bërë duke u kushtuar rëndësi tri objektivave:
– Parandalimi i përhapjes së infeksionit me COVID-19;
– Moscenimi i aktiviteteve ekonomike, por duke pasur prioritet ruajtjen e jetës dhe shëndetit të popullatës;
-Ruajtja e shëndetit mendor dhe fizik të qytetarëve.

Masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e  pandemisë COVID-19 të miratuar në këtë mbledhje mund t’i gjeni në dokumentin e bashkëngjitur në këtë komunikatë. 

Në mbledhjen e sotme, është aprovuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej njëqind mijë euro (100,000.00 €) për ndihmë për mbulimin e dëmeve nga vërshimet në Komunën e Preshevës.

Ka marrë miratimin edhe vendimi për mbulimin e plotë të obligimeve të Primit të sigurimit kufitar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që janë subjekt i policës kufitare dhe vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021.

Po ashtu, është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për emetimin e letrave me vlerë të qeverisë që do të shiten me pakicë, me emërtimin “Bono të Diasporës”.

Më tej, qeveria mori vendim për formimin e Grupit Punues Ndërministror për koordinimin e punës së të gjitha ministrive kompetente në lidhje me legjislacionin teknik, i cili është përgjegjës për zbatimin e detyrave që dalin nga lëvizja e lirë e mallrave në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Kosovës.


Përmes këtij Grupi Punues, ministritë kompetente do të shkëmbejnë informacion për çështjet si në vijim:
– Rregullat në lidhje me miratimin dhe zbatimin e rregulloreve teknike bazuar në rregullat e BE-së për harmonizim;  
– Rregullat në lidhje me miratimin dhe zbatimin e rregulloreve teknike në fushat që nuk janë rregulluar me rregullat e BE-së për harmonizim;
– Mirëmbajtjen e regjistrit sipas nenit 29 të Ligjit Nr. 06/L-041 Për Kërkesat Teknike Për Produkte Dhe Vlerësim të Konformitetit, dhe shkëmbimin e informacionit përkatës dhe notifikimin e rregulloreve teknike në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për aprovimin e Programit 2021-2025, për eliminimin e barrierave tregtare sipas neneve 34-36 të Traktatit për Funksionimin e BE-së. Meqenëse Kosova është në proces të përmbushjes së detyrimeve nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim, njëra nga detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje është edhe harmonizimi i legjislacionit për vlerësimin e konformitetit. Për qëllime të implementimit të nenit 80 të MSA-së, duke u fokusuar në fushën e pa harmonizuar, Kosova ka përgatitur Programin për Eliminimin e Barrierave Tregtare sipas neneve 34-36 të Traktatit mbi Funksionimin e BE-së.
Programi përmban pesë aktivitete kryesore:
– Rishikimin e legjislacionit teknik të pa harmonizuar, i cili përmban masat me efekt ekuivalent dhe eliminimin e barrierave të pajustifikuara;
– Rishikimin e legjislacionit jo teknik kombëtar i cili, përmes marrëveshjeve të shitjes dhe kufizimeve në përdorim, mund të krijojë barriera ta pajustifikueshme;
– Aktivitetet e MINT dhe ministrive të linjës në përmbushjen e obligimeve për notifikim të legjislacionit sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara (CEFTA); dhe
-Themelimi i pikës së kontaktit për produkte si qendër e informimit për palët e interesit; dhe
-Përgatitja e autoriteteve të mbikëqyrjes së tregut për fuqizimin e tyre në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi për njohjen reciproke të mallrave të tregtuara ligjshëm.

Miratimin e qeverisë e ka marrë sot edhe Koncept Dokumenti për “Fushën e të Drejtës së Autorit”. Koncept Dokumenti për Fushën e të Drejtës së Autorit përfshinë një përshkrim të hollësishëm të politikës dhe kornizës ligjore ekzistuese, të institucioneve shtetërore përgjegjëse për zbatim. Në Koncept Dokument janë paraqitur gjithsej tri opsione për të adresuar problemet në fushën e të drejtës së autorit. Nga tri opsionet e paraqitura, opsioni i rekomanduar nga MKRS është Opsioni 3, që nënkupton hartimin e një ligji të ri, i cili do të rregullonte zbrazëtirat ligjore të hasura dhe do të rregullonte sfidat e reja të krijuara si rrjedhojë e zhvillimeve teknologjike të fundit.

Po ashtu, u miratua edhe vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës autorizimin e Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e  Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për financimin e projektit “Reagimi  i Kosovës ndaj pandemisë Covid-19 për Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”.Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është që të shërbejë për rritjen e kapitalit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive. Kjo do të mundësonte lehtësimin e qasjes në financa për financim të projekteve kapitale apo shpenzimeve operative te Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme. Ky projekt kap vlerën 40 milionë euro.

Qeveria miratoi edhe vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës autorizimin e Ministrit të Mbrojtjes për nënshkrimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Kuvajtit për statusin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në Shtetin e Kuvajtit.

Aprovimin e qeverisë e ka marrë edhe Nisma për negocimin e Marrëveshjes ndërkombëtare të partneritetit për “Menaxhimin e Grant-kontratës të asistencës teknike në kuadër të Programit për Bashkëpunim Ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi  nën IPA II (2014 – 2020)” , si dhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për fitimin e statusit të asociuar për Republikën e Kosovës në Programin HORIZON EUROPE, ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Komisionit Evropian, e cila Marrëveshje paraqet një hap me rëndësi për vendin tonë në rrugën e integrimit evropian.

Të ngjashme