Ekonomia Online
FUNDIT

Dënohet me 25 vjet burgim personi që dhunoi dhe vrau 11 vjeçarin, Kujtim Veseli

Dënohet me 25 vjet burgim personi që dhunoi dhe vrau 11 vjeçarin, Kujtim Veseli

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka shqiptuar dënim unik prej 25 vjetësh të akuzuarit S.O, për dhunim dhe vrasje të 11-vjeçarit, Kujtim Veselit nga Fushë Kosova. “I akuzuari S.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim unik në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vjetësh për veprat penale ‘Vrasje e rëndë dhe Dhunim’, në […]

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka shqiptuar dënim unik prej 25 vjetësh të akuzuarit S.O, për dhunim dhe vrasje të 11-vjeçarit, Kujtim Veselit nga Fushë Kosova.

“I akuzuari S.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim unik në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vjetësh për veprat penale ‘Vrasje e rëndë dhe Dhunim’, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 16.07.2019”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Kujtimi, që i përkiste komunitetit ashkali, u gjet i vdekur më 11 korrik, 2019, poshtë shkallëve të një objekti banimi në lagjen “Xhemajl Mustafa”, në Fushë Kosovë.

S.O akuzohej se e kishte dhunuar vazhdimisht Kujtimin edhe para datës 11 korrik, 2019, ditën kur u gjet i vrarë.

Sipas shkresave të rastit, S.O, akuzohej se e ka dhunuar seksualisht Kujtimin edhe më 29 janar, 2019, për çka ishte denoncuar në polici nga babai dhe nëna e viktimës.

Pavarësisht veprës së rëndë panele për të cilën dyshohej, S.O, intervistimi nga Policia e Kosovës, u krye vetëm pas 65 ditësh, më 4 prill, 2019.

Në këtë intervistë, S.O, pranoi se ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën.

Por, pavarësisht kësaj, S.O, nuk ishte arrestuar dhe ndaj tij nuk ishte caktuar masa e paraburgimit.

Mbi dyshimet për neglizhim të rastit nga institucionet e drejtësisë si Policia e Kosovës dhe Prokuroria, aktivistë për të drejtat e njeriut kanë organizuar disa aksione e protesta.

Për këtë rast, në dhjetor të vitit 2019, Institucioni i Avokatit të Popullit përmes një raporti kishte gjetur një varg shkeljesh nga Policia dhe Prokuroria të cilat thuhej se kishin dështuar që ta mbronin Kujtimin.

“Organet e hetuesisë kanë dështuar të jenë efektive në arrestimin dhe në ndalimin e të dyshuarit, vlerësimin e rastit, si dhe shqiptimin e masave ligjore për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale”, thuhet më tej në raportin e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit, kërkoi një hetim të brendshëm lidhur me dështimin e prokurorisë për përmbushjen e detyrimeve pozitive për mbrojtjen e së drejtës për jetë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës i hetoi dy prokurorë, por, i vetmi që u konstatua që kishte bërë shkelje disiplinore ishte, prokurori, Ruhan Salihu, të cilit si masë disiplinore iu shqiptua zvogëlimi i pagës prej 30 për qind për një periudhë gjashtë mujore.

Avokatja e familjes Veseli si dhe aktivistët e organizimit “Drejtësi për Kujtimin”, insistojnë në hetim penal për të gjithë zyrtarët që kanë neglizhuar rrezikun me të cilën përballej Kujtimi e që çoi në dhunim të përsëritur dhe vrasjen e tij.

Të ngjashme