Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se rastet me fruth po vazhdojnë të regjistrohen në vend, duke bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve dhe rritjen e mbulueshmërisë me vaksinën MMR.
Sipas të dhënave të institutit, nga 16 prilli deri më 8 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 299 raste me fruth, prej të cilave 30 vetëm gjatë javës së fundit.
Rastet janë regjistruar në 23 komuna të Kosovës, ndërsa shumica e të prekurve janë fëmijë. Mbi 95 për qind e personave të infektuar nuk kanë qenë të vaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
IKShPK thekson se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.
Ndërkohë, gjatë këtij viti, përmes vaksinimit plotësues janë vaksinuar mbi 4 mijë e 69 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç, të cilët nuk i kishin marrë vaksinat e parapara ose nuk i kishin përfunduar të dy dozat.
Instituti u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të kontaktojnë ekipet shëndetësore në rast se ndonjë dozë është lënë pa marrë.
IKShPK rikujton se vaksinimi në kohë mbetet masa kryesore për parandalimin e fruthit dhe kufizimin e përhapjes së tij.