Rita Augestad Knudsen, bashkëshortja e kryeministrit Albin Kurti, është rrallë e pranishme në jetën publike në Kosovë. Megjithatë, ajo e shoqëron shpesh atë në udhëtimet zyrtare jashtë vendit, ku është parë në forume ndërkombëtare, ceremoni shtetërore dhe takime të rëndësishme diplomatike.
Paraqitjet e saj në Kosovë janë të pakta. Gjatë periudhës së fundit, ajo është vërejtur kryesisht në disa ditë të fushatës zgjedhore, në ditën e votimit dhe në mbrëmjen kur u shpallën rezultatet zgjedhore.
Ndërkohë, deri më tani, ajo nuk është bërë pjesë e ndonjë angazhimi publik në vend për çështje që lidhen me barazinë gjinore, shëndetësinë, arsimin apo zhvillimin ekonomik.
Prania e saj bëhet më e dukshme kur kryeministri Kurti zhvillon vizita zyrtare jashtë Kosovës. Një rast i tillë është edhe vizita e fundit në Francë, ku ajo po e shoqëron bashkëshortin në Paris.
Parisi duket të jetë një nga destinacionet ku Rita Augestad Knudsen është shfaqur më së shpeshti në krah të kryeministrit.
Në vizitat e ndryshme të Kurtit në kryeqytetin francez, ajo ka qenë e pranishme në ngjarje të nivelit të lartë, përfshirë takimet me presidentin Emmanuel Macron, pritjet zyrtare, koktejet dhe darkat diplomatike.
Në total, Rita Augestad Knudsen është shfaqur pesë herë përkrah Albin Kurtit në ngjarje të rëndësishme të zhvilluara në Francë.


