Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në lansimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2019-2023, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Haradinaj tha se përmes kësaj strategjie synohen të arrihet katër objektiva: pjesëmarrja në vendimmarrje, rritja llogaridhënies, zhvillimi praktikeve për ofrimin e shërbimeve publike dhe nxitja e vullnetarizmit në interes publik.
“Strategjia Qeveritare ndërlidhet me programin e Qeverisë që është 2017-2021. Kjo ka për qëllim vazhdimin e bashkëpunimit të rregullt me shoqërinë civile. Synojnë të arrijmë katër objektiva: pjesëmarrja në vendimmarrje, rritja llogaridhënies, zhvillimi praktikeve për ofrimin e shërbimeve publike, nxitja e vullnetarizmit në interes publik. Kosova është e renditur në mesin e organeve perëndimore”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se për këtë strategji Qeveria ka ndarë buxhet dhe i jep përkrahje me qëllim të zbatimit sa më efikas.
“Dua t’iu siguroj përkrahjen time dhe të qeverisë me qëllim të zbatimit sa më efikas. Qeveria ka ndarë edhe buxhetin për këtë. Dua të theksoj se përkundër të arriturave tona na mbetet edhe shumë punë për tu bërë që kjo strategji të përfundohet”, u shpreh ai.
Taulant Hoxha, përfaqësues i platformës “CIVIKOS”, u shpreh mosbesues për bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet shoqërisë civile dhe Qeverisë. Sipas tij, besimi në institucione ka rënë shumë.
“Është problem për të qenë me shpresë për një bashkëpunim kur transparenca dhe llogaridhënia po mbetet aty ku ka qenë 10-15 vite më parë. Kohët e fundit e kemi të vështirë ti bindim organizatat tjera që të na bashkohen për të parë efekt të bashkëpunimit. Një gjë që e kemi të përbashkët janë qytetarët. Besimi në jetën publike, në institucione ka rënë shumë, është dramatik dhe po na sfidon angazhimin tonë të përbashkët. Përgjegjësia kryesore është e juve që kërkoni mandat per ta bërë qeverinë në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Hoxha.
Ai po ashtu shprehu shqetësimin mbi Ligjin për OJQ-të, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Sipas tij, ky ligj nëse nuk ndryshohet paraqet rrezik për OJQ-të.
“Në kohën kur deputetët e kanë aprovuar një Ligj për OJQ në fakt ai ligj i rrezikon shumë OJQ nëse nuk ndryshohet. Kolegët deputetë nuk po e marrin parasysh kërkesën tonë”, tha Hoxha.
Përgjigje Hoxhës i dha nga kryeminsitri Haradinaj. Ai tha se nuk drejton një Qeveri vajtuese. Haradinaj kërkoi nga Hoxha që ta sjellë një listë me ato që Qeveria nuk ka arritur të përmbushë.
“Nuk është një Qeveri që vajton, nuk jemi vajtues, jemi Qeveri që po përballemi me gjitha problemet. Sa i përket Taulantit me listë të na thotë se ku mund të ndryshojë Qeveria. Ka raste kur nuk mundem me iu përgjigj si nepotizmi ndoshta është më zor. Nuk e mendoj marrëdhënien qeveri – shoqëri civile të plotë. Besoj e kuptoni pse. Nëse është teoria e vajtimit, vazhdoni. Unë nuk i takoj kategorisë së vajtimit, as qeveria që drejtoj nuk i takon. Jam kundër që me i mbyllë sytë para çdo defekti i shoqërisë sonë. Por iu lus kur të bëni listën cekni edhe ato të mirat që janë bërë”, tha Haradinaj.