Një shkresë e ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi, ka zbuluar motivin e tij për ta shkarkuar menaxhmentin dhe anëtarët e Bordit të Agjencisë së Akreditimit.
Ai ishte kundër penalizimit të një kolegji privat, pronari i të cilit është nga Komuna e Malishevës, nga është edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, parti së cilës i përket edhe Bytyqi, shkruan Koha Ditore.
Më 25 shtator ministri kishte shkarkuar anëtarët e Këshillit Kombëtar të Cilësisë, i cili ka funksionin e Bordit të Agjencisë, si dhe drejtorin e këtij institucioni. Sipas njoftimit zyrtar, vendimi ishte marrë me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj. Ministri kishte emëruar anëtarët e rinj, por të cilët akoma nuk kanë nisur punën shkaku që procedura kërkon të kalojnë në Kuvend. Por, ai e ka emëruar ushtrues detyre të drejtorit po një njeri nga Malisheva, Bekim Samadraxha, një punonjës i Ministrisë së Arsimit.
Dhe në ditën e parë të nëntorit ministri Bytyqi i është drejtuar me një shkresë Samadraxhës që e kishte nëpunës para se ta instalonte në “gardianin” e cilësisë së arsimit të lartë. Nga ai ka kërkuar që të rishqyrtohej vendimi për pezullimin e programeve të ISPE-së.