Qeveria e Kosovës ka miratuar ndarjen e mjeteve financiare për pagesën shtesë në pagë për institucione dhe sektorë të ndryshëm që kanë pasur angazhim të shtuar në përballje me pandeminë COVID-19.
Ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami, ka treguar se ndarja e mjeteve është për punëtorët arsimorë, ata shëndetësorë, zjarrfikësit dhe ata të policisë.
1. Për sektorin e arsimit ndahen mjetet shtesë financiare në vlerë prej 3 000 000 € (tre milionë euro) për pagesën e shtesës së parë për mësimdhënësit dhe personelin teknik/administrativ në sistemin parauniversitar;
2. Për sektorin e sigurisë, përkatësisht zyrtarët policorë, ndahen mjetet shtesë financiare në vlerë prej 700,000 € (shtatëqind mijë euro);
3. Për sektorin e emergjencave, përkatësisht Zjarrfikësit, ndahen mjetet shtesë financiare në vlerë totale prej 180,000 € (njëqindetetëdhjetë mijë euro);
4. Për sektorin social, ndahen mjetet shtesë financiare në vlerë 78,000 € (shtatëdhjetetetë mijë euro), për pagesën e shtesave në pagë për punëtorët aktiv social në Qendrat për Punë Sociale;
5. Për sektorin shëndetësor (në të gjitha nivelet) ndahen mjetet financiare si në vijim:
a) Shuma prej 100,000 € (njëqind mijë euro) për pagesën e shtesave në pagë për profesionistët shëndetësorë që kryejnë shërbime shëndetësore në sektorin publik bazuar në marrëveshjet kontraktuale që kanë me organizatat buxhetore në nivel lokal.
b) Shuma prej 160,000 € për pagesën e shtesave në pagë për punëtorët teknik të sektorit privat (pastrimi dhe sigurimi fizik) që kryejnë shërbime të kontraktuara për institucionet publike shëndetësore, për dy muaj shkurt dhe mars 2021;
“Ju paraqes propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve për disa organizata buxhetore për të ndarë shtesa për muajin shkurt dhe mars për disa kategori që nuk kanë qenë të përfshira në vendimet paraprake por që janë drejtpërdrejtë të ekspozuara rrezikut në menaxhimin me pandeminë. Ndahen 3 milionë euro nga 5 milionëshi që e kemi ndarë nga fondi për rimëkëmbjen ekonomike tek Ministria e Arsimit për mbarëvajtjen e vitit shkollor, kjo është shtesa e parë e cila do të paguhet në muajin shkurt. Kjo përfshinë të gjithë personelin që janë të angazhuar në arsimin primar dhe sekondar”, ka thënë Bajrami.
Sipas saj, Kategoritë tjera të sektorit publik që janë të angazhuar në menaxhim të pandemisë dhe janë të ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit nga COVID-19, që nuk janë pjesë e këtij vendimi apo vendimeve paraprake për shtesa të tilla, do të mund të trajtohen me vendime të veçanta të bazuar në vlerësimet profesionale të nivelit të ekspozimit ndaj rrezikut dhe mundësitë buxhetore, duke filluar nga muaji mars 2021 e tutje.