Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme nuk ka diskutuar për dëmshpërblimin prej 5 milionë euro që Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) duhet t’i paguajë kompanisë austriake OeSD lidhur me rastin e “pasaportave”.
Gjykata e Arbitrazhit në Paris mori vendim në favor të kompanisë austriake pasi MPB-ja shkëputi njëanshëm kontratën pasi OeSD deklaroi se nuk kishte marrë pagesën prej 1.4 milion euro për furnizim me pasaporta biometrike.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të miratoi propozim vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2016. Ky vendim parasheh përfshirjen në program të disa projektligjeve për këtë vit dhe po ashtu ndryshimin e afateve kohore për realizim për disa projektligje tjera
Në mesin e disa projektligjeve që Qeveria ka vendosur t’i ketë në plan për këtë vit, janë edhe Projektligji për Kadastrën dhe ai për Kryeqytetin.
Qeveria po ashtu miratoi propozim vendimin preliminar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i projektit për ndërtimin të ngrohtores së re të qytetit të Gjakovës.
Qeveria miratoi edhe nismën për negocimin e marrëveshjes ndërkombëtare të huas për zbatimin e protokollit financiar të nënshkruar me 5 korrik 2016, ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Francës, nismën për negocimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Hungarisë dhe Qeverisë së Kosovës, për themelimin e programit kornizë për bashkëpunim financiar dhe nismës për plotësimin dhe ndryshimin e marrëveshjes financiare IPA 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Po ashtu ekzekutivi ka miratuar propozim vendimin e Ministrisë së Integrimeve për fuqizim të bashkëpunimit me shoqërinë civile në kuadër të procesit të integrimit si dhe informimin e qytetareve për këtë proces, i cili kap shumën prej 80 mijë euro.