Rreth 1.2 milionë euro në muaj apo 40 mijë euro në ditë është paraparë ndëshkimi për kompaninë “Bechtel&Enka”, për vonesa në përfundim të punimeve për autostradën “Arbën Xhaferi”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Por, edhe pse punimet në këtë autostradë kanë qenë të parapara që të përmbyllen 20 ditë më parë, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e ka arsyetuar kompaninë për vonesa, duke thënë se një gjë e tillë ka ndodhur shkaku i temperaturave të ulëta.
“Do të ketë reciprocitet të plotë nëse Njësia e Ministrisë së Infrastrukturës, ekspertët dhe organi mbikëqyrës thonë se ka pasur mundësi të punohet në këto kushte të temperaturave të ulëta dimërore dhe nuk është punuar”, ka thënë për gazetën Argjend Zenaj, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Arsyetim për vonesa të punimeve ka përmendur edhe urën 6-kilometërshe të autostradës për Shkup. “Por nuk duhet të harruar se ura 6-kilometërshe e autostradës ‘Arbën Xhaferi’ i ka specifikat e saj që dallojnë nga ato të trasesë në tokë. Por jemi në pritje të raporteve nga të gjithë komponentët relevantë”, ka thënë Zejna. Sipas tij, opinioni i gjerë do të informohet me kohë për secilin veprim të MIT-së.