Që nga fundi i vitit 2020, mijëra qytetarë serbë të Kosovës janë vaksinuar në Serbi.
Në Institutin e Shëndetit Publik në Mitrovicën e Veriut, që është pjesë e sistemit shëndetësor të Serbisë, thonë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës, vaksinohen në Rashkë, ata nga rajoni i Anamoravës (Gjilan, Kamenicë, Viti) shkojnë në Bujanoc, ndërkaq qytetarë të tjerë nga Kosova shkojnë edhe në Kurshumli.
“Deri më tash në ato qytete kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, rreth 24.000 serbë nga Kosova, ndërkaq që dozën e dytë e kanë marrë 22.500 persona”, thuhet në përgjigje.
Vaksinimin e qytetarëve serbë të veriut në Serbi, e ka konfirmuar edhe zëvendëskryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Adrijana Hoxhiq.Reklamë
Kosova harron vaksinimin në komunat serbe
Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se vaksinimi i nisur në Prishtinë, nuk ka filluar në veri të Kosovës, pasi sipas saj, qytetarët e kësaj pjesë të Kosovës, janë vaksinuar me vaksinat e siguruara nga Qeveria e Serbisë.
“Në veri, unë me sa e di qytetarët janë vaksinuar në Rashkë, përmes spitalit i cili po funksionon në veri. Qytetarët e veriut në përgjithësi kanë shkuar andej (në Serbi), nuk ka pasur vaksinim në vend (në Kosovë)”, tha Hoxhiq.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë të Kosovës lidhur me procesin e vaksinimit, por zyrtarë të kësaj ministrie nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me vaksinimin e qytetarëve në komunat në veri të Kosovës, që janë me shumicë serbe.
Haxhiu: Vaksinimi bëhet me vaksina, jo me propagandë
Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, thonë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka dështuar në sigurimin e vaksinave kundër COVID-19.
Bekim Haxhiu, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha për Radion Evropa e Lirë se Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës, ka propaganduar për fillimin e vaksinimit në masë.
Ai tha se aktualisht Kosova nuk ka vaksina të mjaftueshme.
“Deri më tani Kosovës i janë dhuruar donacion rreth 180 mijë vaksina, derisa janë vaksinuar mbi 118 mijë qytetarë. Pra, në stok janë më pak se 60 mijë vaksina dhe me më pak se 60 mijë vaksina nuk mund të pretendohet që të ketë vaksinim në masë. Por, me propagandë dhe me reklamë nuk bëhet vaksinimi, por me vaksina dhe me punë konkrete”, tha Haxhiu.
Haxhiu nuk pret që deri në fund të vitit të vaksinohen 60 për qind e qytetarëve, ashtu edhe siç ka premtuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Ministria nuk jep informata se ku janë vaksinat tjera, kur do të arrijnë vaksinat tjera? Nëse e mban fshehtë çmimin se sa i ka kontraktuar dhe që lë edhe shumë hapësirë për dyshime sa i përket çmimit të kontraktimit të blerjes së vaksinave. Nuk ka aspak transparencë në këtë proces, ministria është tërësisht e mbyllur sa i përket këtij procesi”, tha Haxhiu.
Deputeti Haxhiu tha se vaksinimi duhet të ndodh në të gjithë territorin e Kosovës, edhe pse një pjesë e qytetarëve të Kosovës sipas tij, janë vaksinuar në Serbi dhe në Shqipëri.
Ish-ministri i Shëndetësisë në qeverinë e kaluar, Armend Zemaj, tha për Radion Evropa e Lirë se jo që nuk ka vaksinim masiv, por ka vetëm mashtrim optik.
“Jemi vendi me më së keqi sa i përket vaksinimit, sidomos doza e dytë pothuajse nuk ka kaluar më shumë 10 mijë. Vaksinat do të vijnë, por me këtë logjikë do të vijnë në pjesën e fundit të vitit, edhe atëherë cili është rezultati i ruajtjes së shëndetit publik”, tha Zemaj.
Zemaj tha se Ministria e Shëndetësisë deri më tani nuk ka treguar asnjë informatë për të vaksinuarit në pjesën veriore e as për të vaksinuar në komunat tjera që janë me shumicë serbe, por as për qytetarët që janë vaksinuar jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Pak vaksina për vaksinim masiv
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë më 15 qershor (të martën), nisi fushatën e vaksinimit në masë, duke premtuar se deri në fund të vitit do të vaksinohen 60 për qind e qytetarëve të Kosovës.
Por, me ritmin aktual, vështirë të arrihet numri prej 320 mijë qytetarëve të vaksinuar brenda muajit, ashtu siç është premtuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Deri në fund të vitit do të kemi në dispozicion rreth 2 milionë doza të vaksinave anti-COVID, dhe nëse e bëjmë një llogaritje i bie që brenda muajit të kemi mundësinë që brenda muajit të vaksinojmë 320 mijë qytetarë”, deklaroi Vitia më 15 qershor, ku bëri të ditur se vaksinimi masiv do të vazhdojë deri më datën 15 dhjetor.
Nis vaksinimi masiv, MSH-ja thotë se ka doza të mjaftueshme
Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit në Kosovë më 29 mars të këtij viti e deri të premten, sipas Koordinatorit të Qendrës së Vaksinimit në Sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë, Niman Bardhi, janë vaksinuar rreth 130 mijë qytetarë të Kosovës.
“Totali i përgjithshëm i dozave të dhëna deri në këto qaste në nivel vendi, janë mbi 129 mijë e 200 vaksina”, tha Bardhi të premten para gazetarëve.
Kosova ka pranuar donacione vaksinash nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga Bashkimi Evropian.
Në muajin maj, autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se kanë nënshkruar një kontratë me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, për blerjen e mbi 1 milion dozave të vaksinës Pfizer