Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim përfaqësuesit e sindikatës së Postës së Kosovës, kryesuar nga Etrit Hoti, me të cilët ka biseduar për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate për këtë ndërmarrje publike.
Gjatë takimit kryeministri Haradinaj është njoftuar nga sindikalistët për sfidat me të cilat është duke u përballur kjo ndërmarrje, në të njëjtën kohë sindikalistët kanë paraqitur kërkesat për të cilat sipas tyre duhet gjetur zgjidhje e përbashkët, transmeton Ekonomia Online.
Sipas një komunikate për medie nga Ekzekutivi, kryeministri Haradinaj tha me këtë rast se Qeveria e Kosovës është e gatshme për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje duke marrë parasysh se në këtë ndërmarrje publike marrin paga një numër i madh i punëtorëve.
“Jemi duke ndjekur nga afër gjendjen në Postën e Kosovës e cila deri vonë ka qenë ndërmarrje shumë e suksesshme, por që tani është duke u përballuar me një gjendje jo të mirë financiare, andaj në bazë të kompetencave dhe mundësive do të gjejmë zgjidhje të kënaqshme”, tha Haradinaj.
Gjatë takimit është biseduar edhe për çështjen e shërbimeve universale postare dhe për mundësinë që institucionet e Kosovës shërbimet e tyre t’i marrin nga Posta e Kosovës, për të cilat kryeministri Haradinaj tha se do të shqyrtohen mundësitë që Qeveria si aksionar kryesor, të gjejë një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme, duke i marrë përsipër obligimet e deritashme, sidomos për shërbimet universale postare.
Nga ana e tyre, sindikalistët falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen duke u shprehur se do të bashkëpunojnë në gjetjen e një zgjidhje për këtë ndërmarrje dhe për punëtorët e saj.
E plotësuar:
Berisha: Javën tjetër Qeveria përmbyllë telashet me Postën
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës, Etrit Hoti, në emër të puntorëve të Postës ka realizuar takim me kryeministrin, Ramush Haradinaj.
Pas takimit, Hoti tha se javën tjetër do të ndërmerren veprime konkrete rreth telasheve me të cilat ballafaqohen, raporton EkonomiaOnline.
LEXO Edhe: Kryeministri qetëson protestuesit e Postës
“E zhvilluam takimin me zotin Ramush Haradinaj. I dëgjoi shqetësimet tona, mbetët që javët e ardhshme të shohim veprimet e përbashkëta për daljen e situatës financiare të Postës së Kosovës. Ka gatishmëri gjithmonë, ka gatishmëri,” është shprehur Hoti.