Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka miratuar vendimin me të cilin obligon Korporatën Energjetike të Kosovës që të rishikojë Matricën e të drejtave për metodën e llogaritjes së vlerësimit për kompensimin e objekteve të banimit në zonën kadastrale Shipitullë të komunës së Obiliqit.
Matrica duhet ta inkorporojë Planin e Veprimit për Zhvendosje konform dokumentit “Korniza e Politikave për Zhvendosje për zonën Fusha e Mihjes së Re të Republikës së Kosovës’’.
Vlerësimet e pasurisë do të kryhen në bazë të praktikës së mëhershme të zhvilluar në rastin e vlerësimit të pasurisë së objekteve të ndërtimit në fshatin Hade.
Për zbatimin e këtij vendimi obligohen Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MPH).
Vendimi thuhet se nuk krijon kosto shtesë për buxhetin e Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi me të cilin banorët e zonës së veçantë në pesë vitet e fundit, në fshatrat Hade dhe Shipitullë, kanë përparësi në kushte të barabarta, në procedurat e punësimit, për profesionet dhe vendet e punës që gjenerohen nga mihjet sipërfaqësore dhe prodhimi i energjisë elektrike, në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.