Qeveria nuk ka ndonjë plan konkret se si do ta kalojë shënjimin e kufirit me Malin e Zi, sidomos tani kur Lista Serbe si pjesë e koalicionit qeverisës e ka bojkotuar edhe pjesëmarrjen e tyre në vendimet e Kuvendit, për shkak të ligjit për ‘Trepçën’.
Ndonëse nuk ka ndonjë datë se kur do të jetë në rend dite çështja e demarkacionit, zyrtarët qeverisës kanë deklaruar se ratifikimi duhet të ndodh jo më larg se 27 tetori, në mënyrë që të arrihen afatet e nevojshme për liberalizimin e vizave me BE-në këtë vit.
Por mungesa e votave nga ana e deputetëve, ka bërë që Demarkacioni me Malin e Zi të mos kalojë në seancën e mbajtur të 1 shtatorit. E Qeveria vazhdon t’i përsëris qëndrimet e mëparshme duke mos e pranuar mungesën e votave dhe duke folur gjithmonë për frymën e dialogut në zgjidhjen e Demarkacionit, raporton lajmi.net.
Këshilltari për Media i Kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu në një prononcim për lajmi.net thotë se vazhdojnë të jenë të hapur për dialog, madje edhe për opozitën, por ka refuzuar t’u përgjigjet konkretisht pyetjeve të redaksisë, nëse i kanë votat, kur tashmë dihet edhe qëndrimi i Listës Serbe për këtë situatë.
“Palët e koalicionit e kanë vullnetin e pahezitueshëm për ta riproceduar demarkacionin. Pa e specifikuar me datë ne jemi duke bërë përgatitje që këtë çështje ta riprocedojmë dhe pengesat e ndryshme ti tejkalojmë me dialog konstruktiv”, deklaron ai.
Abdullahu thekson se Qeveria vazhdon të jetë bashkëpunuese, jo përjashtuese dhe korrekte si në qasje ashtu edhe në ofertën publike për të biseduar.
“Një parimësi e tillë ka qenë e pranishme pandalshëm dhe do të vazhdohet në këtë mënyrë. Nga ky vështrim duhet parë edhe përpjekjen e Kryeministrit Mustafa që të takohet me të gjithë faktorët relevantë, ku gjithsesi përfshihet opozita. Është në të mirën e gjithanshme e sidomos të proceseve shtetndërtuese dhe atyre të ndërlidhura me cilësinë e jetës së qytetarëve që çështja e demarkacionit të mos prolongohet” ka thënë ai ndër tjerash.
Rikujtojmë se ditë më parë edhe zyrtarët nga koalicioni qeverisës Xhavit Haliti nga PDK, dhe Sadri Ferati nga LDK, kanë deklaruar se vonesa e Demarkacionit edhe më shumë se dy javë të tjera, do të vonojë deri vitin tjetër liberalizmin e vizave.