Qeveria e Republikës së Kosovës, në formë elektronike, sot ka mbajtur mbledhjen e 51-të të saj.
Është miratuar themelimi i Komitetit Teknik Emergjent, në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve Ministres së Ekonomisë. Ky Komitet, identifikon dhe rekomandon zbatimin e masave për të trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara, thuhet ne një komunikatë të lëshuar pas mbledhjes.
“Si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare, sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara”.
Qeveria ka vlerësuar se vështirësitë në furnizim me energji elektrike janë paraqitur sidomos gjatë muajit dhjetor 2021 për shkak të avarive të shkaktuara në gjeneratorët e termocentralit “Kosova B” dhe njëkohësisht rritje të theksuar të konsumit të energjisë elektrike.
“Për të ruajtur integritetin e sistemit dhe kontribuar në balancimin e Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës dhe atij evropian, Qeveria autorizohet përmes Ligjit për Energjinë, Neni 25, që të shpallë masat e emergjencës në furnizim me energji , në rast se kjo rekomandohet nga Komiteti Teknik Emergjent”.
Në bazë të kësaj, do të mund të propozohen masat emergjente në një kohëzgjatje maksimale deri në gjashtëdhjetë (60) ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
I njëjti vendim duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, brenda 7 ditëve nga pranimi i vendimit të Qeverisë.