Koalicioni për Hapje të të Dhënave dhe Llogaridhënie në Prokurim Publik – Pro Open organizoi forumin lidhur me çështjet që e frenojnë zhvillimin e Kosovës me temë “Integriteti dhe pa ndëshkueshmëria në prokurim”.
Alban Hashani, nga Intituti Riinvest, tha se në Kosovë prokurimi publik mbetet instrument për keqpërdorim të parasë publike në të dy sektorët, raporton Ekonomia Online.
“Në Kosovë prokurimi publik mbetet instrument për keqpërdorim të parasë publike në sektorin publik e privat. Ne si organizata jemi mbledhë bashkë që quhet grupi Pro Open Koalicioni për Hapje të të Dhënave dhe Llogaridhënie në Prokurim Publik që synojmë të bëjë transparent prokurimin publik”, ka thënë Hashani.
“Mungesë e transparencës vërehet edhe në organet e ndjekjes; Nuk ka kategorizim të rasteve që ndiqen për prokurim publik; Mungesa e ndëshkushmërisë në prokurim publik i nxit sjelljet e tilla për të përsëritur gabimet; Të gjitha gabimet shkojnë në organin shqyrtues të prokurimit publik dhe nuk ka ndëshkueshmëri; Kompanitë që marrin kontrata si kryejnë punët me kohë”.
Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit, ka theksuar se ZKA-ja i kushton rëndësi të veçantë prokurimit publik, raporton EO.
“I kushtojmë vëmendje të veçantë prokurimit publik. Pjesa e auditimeve tona të organizatave buxhetore, 98 sosh, mbulohen për pjesën e prokurimit publik”, ka thënë Osmani.
Ai tha se Qeveria po rrezikon të paguajë 2,8 milionë euro më shumë për shkak të obligimeve shtesë në prokurim publik.
“Qeveria rrezikon të paguajë rreth 2.8 milionë euro më shumë se ka hyrë në obligimet që nuk do të ketë nevojë nga prokurimet e centralizuara. Nuk është bërë analizë e çmimeve. Raporti ka gjetur raste të mallrave që kushtojnë më shtrenjtë kur blihen nga AQP sesa nga institucionet në mënyrë individuale”.
Driton Selmanaj, kryetar i komisionit për mbikëqyrjen e financave publike, ka thënë se organizatat buxhetore po mbulojnë keqpërdorimet eventuale që mund të ndodhin në një organizatë.
“Organizatat buxhetore në Kosovë janë mësu me vjedhë mirë, pse e them mirë sepse e kanë perfeksionu me letra mbulimin e keqpërdorimeve eventuale që mund të ndodhin në një organizatë sepse është e pamundur pothuajse 90% e raporteve që na vijnë neve janë relativisht pozitive, nuk është faji i auditorit po është faji i atyre që janë mësuar mirë me letra me qenë gjithçka në rregull”.
“Në kontestin e ndëshkimit dhe trajtimit nga politika kemi ngecje”, ka shtuar Selmanaj.
Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv në organizatën Çohu, tha se mungesa e bashkëpunimit mes institucioneve ka ndikuar në mosndëshkimin e shkeljeve në prokurim publik.
“Mungesa e bashkëpunimit mes institucioneve ka ndiku që sot mos të kemi ndëshkim në shkeljet që bëhen në prokurim publik”, ka thënë Demhasaj.
Në këtë panel i ftuar ishte edhe kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi por nuk ishte prezent.