Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka reaguar sot ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të ndarë paga shtesë për punëtorët e arsimit të cilat sipas kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti do të ndahen në dy këste.
Zjarrfikësit, përmes një komunikate për media kanë thënë se ata kanë kërkuar për vite me radhë që të rregullohet çështja e pazgjidhur e tyre mirëpo kjo kërkesë është neglizhuar nga secila Qeveri.
Ata kërkojnë nga Qeveria t’i pranoj në një takim urgjent për të diskutuar për këto kërkesa përndryshe do të organizojnë protesta para Qeverisë së Kosovës.
“Ne Sindikata e Zjarrfikësve vite me radhë kemi identifikuar problemet dhe shkeljet qe ju behën kësaj kategorie te punësuarave dhe ju kemi drejtuar për ti zgjedhur problemet dhe për tu ndërprere shkeljet dhe diskriminimet, për të sigurua kushte për punë, për te ruajtur shëndetin e zjarrfikësve, por asnjëherë nuk i dhatë prioritet dhe rendësi shërbimit e zjarrfikësve te Kosovës, te quajtur “Heronj”, thuhet në reagim.
Sipas sindikatës, zjarrfikësit e Kosovës nuk do të tolerojnë një diskriminim të paskrupullt dhe të pa pranueshëm, prandaj kërkojnë nga kryeministri në detyrë dhe ministritë përkatëse që urgjentisht të analizojnë kërkesat e drejta të zjarrfikësve.