Qeveria ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e Trafikut Urban në Prishtinë.
Me realizimin e këtij projekti synohet përmirësimi i cilësisë së shërbimit të transportit urban të qytetarëve të Prishtinës.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se për këtë garanci kemi zotim me shkrim nga ana e Kuvendit Komunal të Prishtinës si aksionare e kompanisë se në rast të pa mundësisë financiare të kompanisë komuna do të sigurojë fonde të nevojshme për shërbimin e borxhit. Kredia siç ju kam informuar edhe më herët ka maturitet prej 12 viteve, 2 vjet grejs periudhë, ndërsa 10 vjet të tjera amortizim i kredisë”, u shpreh ai.
Sipas tij, Qeveria ka aprovuar pëlqimin për këtë garancion dhe presidenti i vendit ka autorizuar nënshkrimet e saj, prandaj përmes qeverisë duhet ta procedojnë ligjin për ratifikimin e kësaj marrëveshje në Kuvend.
Kurse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se pas aprovimit të Qeverisë, i procedohet kuvendit në ratifikim.
Me realizimin e këtij projekti, ai tha se synohet përmirësimi i cilësisë së shërbimit të transportit urban të qytetarëve të Prishtinës. Mustafa shtoi se është një çështje, e cila është diskutuar mjaftë shumë në publik dhe ka pasur mjaft shumë përplasje rreth faktit se a është dashur që të respektohen procedurat ligjore.