Ligjiin nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, realisht e ka rrëzuar vetë Qeveria Kurti, dhe Gjykata Kushtetuese ua konfirmoi dështimin.
Normalisht, ky dështim respektivisht demaskim lakuriq i këtij pushteti, nuk do të ndodhte po mos ishte angazhimi dhe vigjilenca e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ekspertiza ligjore që e gëzon.
Por si ndodhi kjo gjë, duhet kuptuar fillimisht motivet pas një qeverie që sponsorizon një ligj që nuk dëshiron të miratohet, e të cilat motive mund të mos jenë gjithmonë të qarta menjëherë.
Gjithsesi është një taktikë e njohur në politikë ku një qeveri mund të propozojë një ligj populist për të fituar mbështetjen e publikut, edhe pse ata nuk e kanë të përnjëmendtë miratimin dhe zbatimin e tij.
Jo pak i njohur për historinë e politikës është edhe rasti kur një parti politike fiton edhe zgjedhjet falë masivitetit të votës që fiton mbi kauzën e “konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme” dhe “kthimit të pasurisë tek qytetarët/shtetit.”
Kjo mendësia politike “Robin Hood”-eske, për të cilën kam shkruar disa herë, është mendësia e partive autoritare, shtetshkatëruese dhe vjedhëse e shpresës së qytetarëve. E atyre që në emër të rivendosjes së drejtësisë bëhen edhe më të padrejtë, dhe në emër të rishpërndarjes së barazisë në pasuri, pasurohen vetë dhe thellojnë skamjen dhe krizat në shoqëri.
Nuk është e lashtë dhe as e harruar për shoqërinë tonë, përvoja e pushtetit të Partisë Komuniste Jugosllave apo e Partisë së Punës Shqiptare, e gjoja se vendosjes së barazisë dhe drejtësisë mes njerëzve, e zhbërjes së klasave përmes konfiskimeve dhe rishpërndarjes së pasurisë.
Jo pa të drejtë, është joshëse dhe synuese për qytetarët votuesë taktika e tillë. Sidomos në shoqëritë me nivel të lartë të korrupsionit nga pushtetetarët dhe varfërisë së madhe sociale. Ngjajshëm si shoqëria jonë që u sprovua nga një taktikë e tillë elektorale.
Por, përvoja poashtu na mëson që pikërisht partitë që erdhën në pushtet me kauza të tillë, u dëshmuan si parti që grumbulluan më së shumti dhe më së shpejti pasuri të fituar në mënyrë të paligjshme, dhe që thelluan krizat sociale dhe varfërinë e qytetarëve.
Dyshimet për skandale korruptive të Lëvizjes VetëVendosje që kalojnë kufinjtë e Kosovës dhe pasurimi marramendës për një mandat të vetëm në pushtet i eksponentëve deri dje anonim të kësaj partie, shtojnë bindjen tutje që ky pushtet synim kishte vetëm plaçkitjen dhe gllabërimin e “pjesës së mbetur” të të mirave të shtetit dhe shoqërisë.
Dhe qe pikërisht ky “ideal” politik që ushqeu retorikën politike të ministrave të Albin Kurtit për këto katër vite të pushtetit të tyre, në çdo paraqitje të tyre publike.
Ndryshe si mund të shpjegohet që partia me pushtetin më të madh, e rrethuar me ekspertë ligjorë dhe kuadro të specializuara, që të dizajnojë, të sponzorojë dhe të miratojë një ligj krejt-drejt 100% kundërkushtetues, nëse miratimin e tij do ta kishte synim të sinqertë?
Assesi. E pamundur është që ky dështim të jetë i paparamenduar!
Dhe për satirë, edhe po ta kishte bërë një fëmijë i vogël, ligji nuk do të hudhej tërësisht poshtë nga Gjykata Kushtetuese!
Ky demaskim i rradhës i kauzave të rrejshme të Lëvizjes Vetëvendosje, ndër më të mëdhatë deri sot, megjithatë, bartë pasojat e veta jo vetëm në kuptim të sundimit të ligjit dhe integritetit politik që mungon, e që janë madhore.
Rrëzimi i këtij ligji që qartazi e dëshiroi më së shumti vetë pushteti aktual, gërryen besimin e qytetarëve në procese politike dhe shton apatinë në publikun e gjerë.
Përdorimi i ligjeve populiste (duke u siguruar që ato të mos kalojnë siguresat kushtetuese) si një strategji politike është lëvizje e rrezikshme që mund të ketë pasoja negative përtej vetëm se në reputacionin e këtij pushteti dhe perceptimin publik.