Gjatë tremujorit të parë të këtij viti shpenzimet qeveritare për mallra dhe shërbime shënuan rritje për 20,2 për qind dhe arritën vlerën prej 48.9 milionë eurosh. Këto të dhëna janë prezantuar në raportin e vlerësimit tremujor të ekonomisë, të hartuar nga Banka Qendrore e Kosovës.
Aty thuhet se shpenzimet buxhetore arritën vlerën prej 400.7 milionë eurove, që paraqet një rritje vjetore prej 20,2 për qind. Gjatë kësaj periudhe të gjitha kategoritë e shpenzimeve buxhetore u karakterizuan me rritje. Shpenzimet qeveritare për paga shënuan rritje prej 5,1 për qind dhe arritën vlerën prej 143.6 milionë eurove. Subvencionet dhe transferimet shënuan rritje për 17,7 për qind dhe arritën vlerën prej 127.3 milionë eurove, shkruan “Zëri”.
“Shpenzimet qeveritare për mallra dhe shërbime (përfshihen edhe komunalit) shënuan rritje për 20,2 për qind dhe arritën vlerën prej 48.9 milionë eurove. Investimet kapitale, të cilat përfaqësojnë rreth 20,2 për qind të gjithsej shpenzimeve buxhetore, shënuan rritje prej 44,0 për qind dhe arritën vlerën 80.9 milionë eurosh. Duke pasur parasysh rritjen më të lartë të shpenzimeve të krahasuar me të hyrat, buxheti i Kosovës regjistroi deficit primar buxhetor prej 38.6 milionë eurove (5.9 milionë euro suficit në TM1 2017)”, thuhet në raport.