Qeveria shkarkon kirurgun Isuf Zekaj

Prishtinë | 19 Jan 2023 | 19:07 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ta shkarkojë nga pozita e anëtarit të Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, Dr. Isuf Zekaj, i cili ishte i përfshirë në skandalin e korrupsionit. ​

Ky vendim është marrë në mbledhjen e radhës korresponduese të ekzekutivit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e radhës korresponduese, në të cilën mori vendim për shkarkimin e anëtarit të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar nga Spitali i Përgjithshëm i Vushtrrisë, Dr. Isuf Zekaj”, thuhet në komunikatë.

Zekaj njëkohësisht mbante pozitën e shefit të Klinikës së Kirurgjisë në spitalin e Vushtrrisë.

Ai është arrestuar javën e kaluar, ku po hetohet për marrje ryshfeti gjatë një operacion në spitali e Vushtrrisë.

Isuf Zekaj, Arsim Latifi dhe Ekrem Sefiu janë tre kirurgët e spitalit të Vushtrrisë që u kapën duke marrë para nga pacientët për të kryer operacione. Që të tre u suspenduan nga puna dhe po hetohen nga prokuroria.

Të ngjashme