Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në fillim të muajit korrik do t’i transferohen rreth 12 mijë euro në llogarinë e tij bankare nga buxheti i shtetit, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo pasi që ai të martën në mbledhjen e Qeverisë e ka shfuqizuar vendimin për pezullimin e rritjes së pagave të marrë muajin dhjetor të vitit të kaluar nga Qeveria që e drejton.
Rreth 9 mijë euro do t’i transferohen si rritje e pagës, për 6 muajt që nuk është zbatuar vendimi, e rreth 3 mijë euro pagë për muajin qershor.
Përveç kryeministrit, paga do t’u rritet edhe presidentit e qindra zyrtarëve të tjerë publikë, përfshirë këtu gjykatësit e prokurorët.
Por ky vendim, sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), është i jashtëligjshëm sepse paraqet konflikt interesi.
Interpretimet e AKK-së shërbejnë kryesisht për të parandaluar veprat penale, të cilat ata i identifikojnë. Ky interpretim në situatë normale “udhëzon” institucionet e zyrtarët publikë që të shmangin konfliktin e interesit në rast se puna e tyre publike konsiston me përftime të tjera kryesisht financiare jashtë pagës.