Qeveria e Republikës së Kosovës, sqaron opinionin publik se Draft Koncept Dokumenti për Lojërat e Fatit, i propozuar nga Ministria e Financave e i aprovuar në Qeveri, është përpiluar duke u bazuar në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Joformale, Pastrimit të Parave, Financimit të Terrorizmit dhe Krimeve Financiare.
Qeveria e Kosovës njofton se qëllimi parësor i këtij koncept dokumenti është të rregullohet fusha e Lojërave të Fatit, pasi që është vlerësuar se vetëm me këtë qasje ulet informaliteteti për 50% dhe rriten të hyrat tatimore për 50% .
Fusha e Lojërave të Fatit në disa raste ka rënë në kundërshtim me Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Joformale, Pastrimit të Parave, Financimit të Terrorizmit dhe Krimeve Financiare, kështu duke i dhënë hapësirë ekonomisë joformale.
Qeveria e Kosovës konsideron se viti 2019 do të jetë vit i zhvillimit ekonomik e si fokus të parë do të ketë luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave dhe krimin e organizuar.
Koncept dokumenti ka për qëllim kontrollin e drejtpërdrejtë të kësaj fushe, duke rritur efikasitetin e inspektimeve dhe dënimeve.
Koncept dokumenti propozon disa opsione të qasjes dhe këto do të analizohen nga ekspertë financiar dhe ata të krimeve ekonomike për të zgjedhur opsionin më të favorshëm për Kosovën.
Qëndrimet se kjo politikë e Qeverisë është për zgjerimin e kësaj fushe, janë të paqëndrueshme, tendencioze dhe nuk do të tolerohen. Agjendat e grupeve të interesit joformal nuk do ta ndalin luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.